E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta fton patriarkët e PS-së të shpëtojnë të majtën

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim fton tre personazhet më të spikatura të Partisë Socialiste që të mundësojnë dialogun mes partisë së tij dhe lidershipit socialist. Dritëro Agolli, Servet Pëllumbi e Rexhep Mejdani kanë intensifikuar thirrjet për bashkimin e së majtës në prag të zgjedhjeve të 2009-ës dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes PS-së e LSI-së. Në këtë situatë, Meta i ftoi këto tre personalitete, duke mandatar njëkohësisht edhe Sabit Brokajn që të negociojë dhe për përgatisin një takim me kreun e PS-së. Meta u shpreh se është i gatshëm të takojë Edi Ramën në prani të tyre.

“U kërkoj si zotit Mejdani, si zotit Agolli, si zotit Pëllumbi, meqenëse ata janë pjesë e Partisë Socialiste, që të japin kontributin dhe ndikimin e tyre për t’u realizuar ky bashkëpunim”, - deklaroi Meta. Duke i konsideruar tre personazhet si themelues të Partisë Socialiste, Meta ka mandatar një tjetër themelues të kësaj partie, që aktualisht ndodhet në radhët e LSI-së.

“Ndaj, duke shpresuar tek angazhimi i prof. Sabit Brokajt, unë do të kërkoja edhe këtu publikisht që nga ky moment, edhe për faktin se ju e dini që ai nuk ka interesa të ngushta politike dhe personale në politikë, gjë që e ka bërë publike prej disa kohësh, së bashku me tre kolegët e tjerë të komunikojë, të bisedojnë së bashku”, - shtoi kreu i LSI-së.

Duke shpresuar të kontributi i katër themeluesve të PS-së, Meta bëri të ditur se “është i hapur për t’u takuar edhe në praninë e të katër këtyre personaliteteve të së majtës, që kanë të gjithë përvojën e duhur, për të mos bërë gabime, por edhe për të na ndihmuar edhe ne të tjerëve, që të realizojmë një mision që e pret sot shumica e shqiptarëve”.

Njëkohësisht, kreu i LSI-së shprehu vlerësimet e tij në lidhje me deklarimet e

Agollit, Pëllumbit e Mejdanit për bashkim të së majtës, duke shprehur konsideratat për shqetësimet dhe preokupimet e tyre.

“Jam këtu t’ju konfirmoj të tre këtyre personaliteteve, por edhe të gjithë të tjerëve që dëshirojnë një bashkëpunim opozitar, që dëshirojnë një bashkëpunim edhe midis Partisë Socialiste dhe LSI-së. U jemi përgjigjur gjithnjë ftesave të bëra nga kryetari i Partisë Socialiste, por njëkohësisht kemi marrë shumë iniciativa, që për fat të keq ndaj të cilave mungon përgjigja dhe vullneti për dialog dhe bashkëpunim”, - nënvizoi Meta. Ai kujtoi ftesën zyrtare që i ka bërë pak kohë më parë kryetarit socialist, Edi Rama, ndaj rishprehu edhe një herë vendosmërinë e tij për t’u takuar me Edi Ramën. Kësaj ftese PS-ja i është përgjigjur negativisht. Thelbi i ftesës së Metës është për Kodin Zgjedhor, por Rama është shprehur se pranon ta takojë ish-aleatin e tij për çdo problem tjetër, pasi Kodi Zgjedhor është një çështje e mbyllur. Ndërkohë, Kodi Zgjedhor është ende çështje e hapur pas mosdekretimit të Presidentit dhe LSI-ja po shfrytëzon të gjitha mundësitë që me miratimin përfundimtar të tij të përfshihen edhe kërkesat e saj.

Pëllumbi: S’jam i mandatuar nga PS-ja, por i hapur për takim

Servet Pëllumbi, një ndër figurat më të rëndësishme të kësaj partie, reagoi dje pak orë pas ftesës së bërë nga kreu i LSI-së, Ilir Meta, që të marrë rolin e ndërmjetësit për të organizuar një takim mes tij dhe Edi Ramës. Pëllumbi bëri të ditur se nuk ka dijeni për negociata mes palëve dhe se nuk është mandatuar për një gjë të tillë. “Nuk kam asnjë dijeni për deklaratën e bërë këtë të diel nga kreu i LSI-së, Ilir Meta”, - tha Pëllumbi. Ai theksoi se nuk është mandatuar nga Partia Socialiste për të bërë rolin e negociatorit për një takim midis dy krerëve të partive, Metës dhe Ramës. I njohur si njeri me kontribute pozitive në gjirin e së majtës, Pëllumbi tha se “mbetet i hapur për takime individuale, në këtë rast, me kreun e LSI-së”, por se për propozimin e bërë nga ana e Metës thotë se “nuk ka mandatim nga askush në selinë rozë”.

Një ditë më parë ai u shpreh se bashkimi i opozitës është e vetmja mënyrë e fitores në zgjedhjet e ardhshme. Kjo është një kërkesë e pashmangshme për kohën. Bashkimi i opozitës, i partive të majta, është e vetmja mundësi. Kërkesa e tillë është veçse për bashkim dhe bashkëpunim, sepse edhe zgjedhjet vetëm kështu mund të fitohen. Me sa kam parë dhe kam kuptuar, mendoj se ka shumë pak shanse për t’u bashkuar tani shpejt. Më vonë, ndoshta do të kemi”, - është shprehur Pëllumbi. Gjatë ditëve të fundit, pak para së Kodi të miratohej përfundimisht në Kuvend, personazhe të së majtës, si Agolli, Pëllumbi e Mejdani kanë shtuar thirrjet për bashkim të opozitës, si e vetmja rrugë që do të sjellë fitoren e zgjedhjeve të 2009-ës. Ndërsa shkrimtari i njohur, ish-deputet i PS-së, Dritëro Agolli, duke bërë një analizë të situatës brenda së majtës, është shprehur se frika e humbjes do të bëjë që Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të gjejnë gjuhën e bashkimit për të fituar zgjedhjet e qershorit.

Rama: Qeverisja e PS-së, fokus tek arsimi e bujqësia

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në vazhdim të "Dialogut me Shqipërinë" për çështjet e bujqësisë, është ndalur në komunën e Farkës në Tiranë.

Lideri i PS-së ka kërkuar nga banorët e kësaj zone që ta ndryshojnë këtë politikë të vjetër, ku politikanët kacafyten me njëri-tjetrin për probleme personale, ndërkohë që i gjithë populli kthehet në një telespektator, që ndjek historinë e këtij grushti njerëzish. Sipas Ramës, nëse të gjithë organizohen në një rrjet njerëzish, që e dinë shumë mirë se çfarë kërkojnë, por edhe që janë të gatshëm të mbështetin çdo projekt politik që shkon në drejtim të interesave të veta, atëherë politika e politikanëve do të flasë për hallet dhe shqetësimet e njerëzve. Kryetari socialist ka premtuar se në rast fitoreje në zgjedhjet e 2009-ës, dy nga gjërat ku do të fokusohet PS-ja maksimalisht për të ndryshuar rrënjësisht përqasjen, janë arsimi e bujqësia. Për Edi Ramën duhet bërë çmos që fëmijët të arsimohen si duhet, kurse fshatit t'i jepet frymëmarrja e nevojshme. "Keni parë ju në këto 17 vjet që politikanët të kacafyten me njëri-tjetrin, për faktin se fëmijët nuk shkojnë dot në shkollë, sepse familjet nuk u blejnë dot librat? Keni parë ju politikanët të kacafyten me njëri-tjetrin, sepse në spitalet e Shqipërisë edhe aspirina nuk është më falas? Keni parë ju që të kacafyten politikanët ndonjë herë për faktin se njerëzit që jetojnë në fshat, janë të fshirë nga lista e politikës dhe atë prodhim që mezi e nxjerrin nga toka, ta nxjerrin në treg për ta shitur? Asnjëherë! Por ama, i kemi parë të zihen, të kacafyten, të bëjnë zgjedhjet më të shëmtuara që në shtëpitë tona ne asnjëherë nuk ua këshillojmë fëmijëve, për çështje që nuk kanë të bëjnë fare me ne”, - deklaroi Rama.

Malaj: Qeveria refuzon propozimet e opozitës për ekonominë

Ish-ministri i Financave si dhe deputeti i Partisë Socialiste u shpreh dje se

qeveria nuk mori parasysh asnjë propozim të opozitës për një paketë stimuluese në ekonominë e vendit për të ndihmuar nga afër njerëzit në nevojë, për të lehtësuar biznesin nga çdo vështirësi dhe abuzim në këtë situatë të vështirë, për të reduktuar efektet ekonomike sociale dhe psikologjike tek shqiptarët dhe mbi pritshmëritë në ekonominë tonë. Ai akuzoi qeverinë për një politikë ekonomike që e fsheh situatën e vështirë, duke e bërë më të rëndë dhe më të gjatë. “Çdo qeveri që e fsheh situatën e krizës përpara zgjedhjeve, duke shpresuar ta menaxhojë atë pas zgjedhjeve, ka sjellë kosto më të rëndë për taksapaguesit e vendit të saj. Situatat e vështira menaxhohen me kurajo politike dhe profesionale, edhe duke i humbur zgjedhjet, jo duke tentuar t´i fitosh ato me mashtrime. Guximi për të mashtruar buzagaz është kërcënimi më i madh që i bëhet qeverisjes së vendit”. Sipas Malajt, ka rënie të eksporteve, ku diferenca në rritje e deficitit tregtar e ul rritjen ekonomike të një vendi dhe nuk e rrit atë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›