E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi siguron Dukën e FSHF-së

Bledar Kuka, Gazeta Korrieri
Pak ditë pas 4 janarit, ditës së takimit Topi-Duka, del në dritë se Presidenti i Republikës i ka dhënë sigurimet e tij presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF). "Rri i qetë, - mësohet t'i ketë thënë Topi, Dukës, - nuk do të kesh probleme, por vazhdo punën tënde".
Takimi u mbajt në Presidencë, në një klimë tensioni mes qeverisë dhe kreut të FSHF-së, akuzuar nga kryeministri Berisha për manipulim të ndeshjeve të kombëtares shqiptare. Po këtë akuzë e bëri edhe titullari i MTKRS-së, ministri Ylli Pango, që kërkoi hetim nga ana e UEFA-s për FSHF-në dhe kombëtaren kuqezi.
Por, të dyja palët, zyrtarisht refuzuan të bëjnë komente për takimin e 4 janarit ora 11.00, duke e cilësuar si "takim privat". Duka u përball me pyetjen në konferencën e shtypit po atë ditë, ndërsa prezantohej trajneri i ri i kuqezinjve, Ari Han. "Unë dhe z. Topi jemi takuar edhe më parë, në stadiume, nëpër ndeshje, sepse Presidenti njihet si njeri i futbollit, si dashamirës i futbollit". Po këtë sqarim dha dje zëdhënësi i FSHF-së, Nurishmi. Edhe zyra e shtypit e Presidencës e quajti takimin si "privat".
Të dyja palët ndahen lidhur se nga erdhi nisma për t'u takuar. Nurishmi pohoi dje se "takimi u kërkua nga Presidenti Topi", ndërsa burimet pranë Presidencës theksuan se "ishte një person i ngarkuar nga FSHF-ja që ndërmjetësoi për takimin".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›