E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e Antalias, sa do të seleksionohen nga Ani

Vetëm pesë lojtarë që aktivizohen në kampionatet e huaja janë në listën prej 24 futbollistë të propozuar nga zëvendëspresidenti Bujar Kasmi trajnerit holandez Ari Han për grumbullimin në dhjetë ditor në Antalia të Turqisë, nga 14 janar deri më 23 janar 2008.
PORTIERËT - Ilion Lika (6 ndeshje më Kombëtaren) tashmë ka marrë rolin edhe të portierit të parë, në mungesë të Arjan Beqajt dhe Isli Hidit, që aktivizohen në Qipro dhe Ukrainë. Ish-portieri i Dinamos, tashmë në forcë me Elbasanin ka mundësinë më të mirë për të dëshmuar se vlen po aq sa Beqaj. Lika ndihet entuziast se Turqia do të jetë një shans i madh për të. Për Enea Koliqin nuk bëhet fjalë për herë të parë që grumbullohet me Kombëtaren pasi portieri i tretë i Iraklisit është thirrur në një rast emergjente në ndeshjet kundër Sllovenisë dhe Bullgarisë. Portieri i Shpresave, Enea Koliqi zëvendësoi atëherë Ilion Likën në listën zyrtare të lojtarëve të thirrur nga trajneri kroat Oto Baric, pas përjashtimit të Likës nga Dinamo dhe e më pas nga ekipi kombëtar.
Samir Ujkani, portieri i talentuar i Shpresave dhe i Palermos në Itali do të ketë rastin të tregojë udhëtimi nga ishulli i Sicilisë në Antalia të Turqisë ka vlera.
MBROJTËSIT- Nga tetë mbrojtësit e thirrur vetëm 4 prej tyre janë kontigjent aktual i Kombëtares: Nevil Dede, Erion Xhafa, Endri Vrapi dhe Andi Lila, të tjerët Osmani, Sina, Pisha dhe Agolli kanë kohë që nuk thirren dhe shërbejnë më shumë si sfond për të plotësuar repartin. Nevil Dede, i cili pikërisht sot mbush 32-vjec, është edhe lojtari me më shumë përvojë ndërkombëtare në repartin e mbrojtjes, por veterani i Tiranës nuk do të jetë në Antalia. 25-vjecari Erion Xhafa ka qenë shpesh i grumbulluar me Kombëtaren por në eliminatoret e Euro 2008 nuk luajti asnjë minutë. 21-vjecari Andi Lila dëshmoi në ndeshjen kundër Rumanisë se edhe pse nuk kishte përvojën për të përballuar një ndeshje të nivelit të lartë ndërkombëtar ishte një lojtar i perspektivës. Kapiteni i Besës ishte thirrur edhe për ndeshjen miqësore kundër Anglisë B, por pa mundur të luajë për shkak të skandalit të konsideruar seksual nga mediat britanike. 22-vjecari Tefik Osmani (1.92m) kur pranoi të vishte bluzën e kuqe të Partizanit, pohoi se synimi i tij ishte pikërisht rithirrja në Kombëtare. I konsideruari si pasuesi më i denjë i Geri Cipit nga ana e trajnerit gjerman Brigel (në kohën kur Osmani luante në Ukrainë me Metalurg Zaporezhja) i humbi kontaktet me përfaqësuesen kur në drejtimin e saj erdhi Barici. Rikthimi në Shqipëri për korcarin, i cili më parë kishte luajtur edhe Skëndërbeun, Ballshin, Tomorin Elbasanin ishte fatal për të. Paraqitjet e varfra te Teuta ishin dhe argumentet që kroati nuk e thirri atë në përfaqësuese. Osmani beson se mund të bindë trajnerin Han se e meriton të thirret jo vetëm nëpër zborret e sajuara, por në Kombëtaren e vërtetë, ata A. Për kapitenin e Dinamos, Arjan Pisha (mbush 30 vjec, më 17 janar, gjatë grumbullimit në Antalia) edhe pse është grumbulluar nuk ka luajtur me përfaqësuesen (grumbulli i tij i fundit ka qenë ai kundër Holandës). Thjesht 10 ditë në Turqi nuk kalojnë keq. Të njëjtin mendim duhet të ndajë edhe 29-vjecarin Ervis Sina (ka luajtur vetëm një minutë në epokën e Dosenës).
MESFUSHORËT – Emri më i rëndësishëm është Klodian Duro, por interesantë janë edhe tre prodhimet e reja të shkollës shqiptare, Jahmir Hyka, Elis Bakaj dhe Gilman Lika. 30-vjecari Duro mbetet një "magjistar" i përhershëm i trajnerëve të huaj, nga Dosena te Baric dhe me këmbëartin e Tiranës nuk ka pse mos të bierë në dashuri edhe holandezi Ari Han, që mund të shohë te Klodiani një kopje të tij, kur ish-futbollisti i Ajaksit dhe Kombëtares portokalli shënonte gola të jashtëzakonshëm. Ish-lojtari i Arminia Bielefeld, Duro, është ambientuar me terrenin turk pasi ka luajtur në kampionatin e atij vendi me dis skuadra. 27-vjecari Blendi Shkëmbi ishte në grumbullimet e para të Baricit, madje edhe në listën e madhe në dy takimet e para eliminatore, por më pas nuk arriti ta bindë Oto Baricin. Largimi i tij nga skuadra ukraianase Metalurg Zaporezhje dhe rikthimi në Shqipëri ishte fatal për ish-lotjarin e Skëndërbeut dhe Rijekës në Kroaci. Rithirrja mund të vlejë shumë për të ardhmen e mesfushorit të Partizanit. 24-vjecari Bekim Kuli, me një të kaluar në rininë e hershme në Turqi (me Samsunsporin, mund të luajë së bashku me Klodian Duron edhe rolin e përkthyesit). Kuli njihet për forcën e tij goditëse, por dhe për temperamentin impulsiv. Cdo vit ndërron nga një skuadër: Partizani, Besa, Lushnja, Vllaznia, Teuta e së fundi Dinamo e njohin mirë. 28-vjecari Paulin Dhembi, një nga fantazistët më të mirë shqiptarë gjithmonë është ndierë i nënvlerësuar nga trajnerët e Kombëtares. Edhe pse e ka mirëpritur ftesën, lojtari i Partizanit e di mirë se ka pak "dritë" për të për të veshur fanellën e përfaqësueses.
SULMUESIT- Emri më sugjestionues është golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar të kampionatit shqiptar dhe i 13-ti në botë për nga numri i golave, Vioresin Sinani. Sulmuesi 30-vjecar i Vllaznisë, golashënuesi i dytë më i mirë sezonal (12 gola) pas kroatit Pero Pejic, edhe pse u thirr nga Baric për ndeshjen e Anglisë nuk u vlerësua më. Sinani, është një tjetër lojtar që ka luajtur në Turqi me Kajserisporin. Daniel Xhafaj, një nga lojtarët më të lakuar në merkaton dimërore bën pjesë në vijën e parë. Baric e thirri sulmuesin e Tiranës, por ish-sulmuesi i Teutës nuk i la asnjë përshtypje të mirë në 13 minutat e luajtura kundër Luksemburgut. Vlonjati beson se me Ari Han do të jetë ndryshe. Sulmuesi i skuadrës suedeze Gais, Migen Memelli është një tjetër enër që rikthehet në grumbullimet e Kombëtares. Ish-sulmuesi i spikatur i skuadrës norvegjeze Bran Bergen, Memelli ishte thirrur edhe vitin e kaluar nga trajneri Oto Baric, madje u pëlqye shumë nga kroati që e thirri edhe për ndeshjen miqësore me Maqedoninë, por duke e lënë më pas në tribunë. Sukaj ka pasur më shumë fat në arenën ndërkombëtare. Tre golat e tij kundër Ishujve Faroe dhe një gol kundër Greqisë në ndeshjet eliminatore të Euro 2009 për U-21 janë një pasaportë e mirë për shkodranin 20-vjecar. 22-vjecari Sabino Plaku pritet të nënshkruajë me norvegjezët e HamKam brenda datës 13 janar dhe prania e tij në Turqi mund të jetë një realitet. I vetmi i panjohur për ne në sulm është 18-vjecar i Shtutgardit U-19, shqiptaro-maqedonasi Shaban Ismaili.

Sa pak U-21!
Edhe pse pritej të ishte një numër më i madh lojtarësh që do të kishin rastin të shikoheshin gjatë përgatitjeve, përfshirë edhe ndonjë ndeshje miqësore, kontingjenti i Shpresave zë një përqindje shumë të vogël në listën e 24 lojtarëve të thirrur: vetëm 3 të tillë, dy portierët Enea Koliqi dhe Saimir Ujkani, si dhe mesfushori Gilman Lika. Shumë pak, po të kujtosh faktin se Jahmir Hyka, Elis Bakaj apo dhe Andi Lila, të tre ndër më të preferuarit e Oto Baricit tani janë pjesë e Kombëtares A, madje kanë luajtur edhe minutat e para më përfaqësuesen. Gjithsesi, lista është ndërtuar nga FSHF-ja dhe Han nuk mund të jetë kurrsesi fajtor.

PORTIERË
1. Ilion Lika (Elbasani, Shqipëri)
2. Enea Koliqi (Iraklis FC, Greqi)
3. Saimir Ujkani (Palermo, Itali)
MBROJTËS
1. Nevil Dede (Tirana? Shqipëri)
2. Andi Lila (Besa, Shqipëri)
3. Erion Xhafa (Tirana, Shqipëri)
4. Enri Vrapi (Tirana, Shqipëri)
5. Tefik Osmani (Partizani, Shqipëri)
6. Elvis Sina (Tirana, Shqipëri)
7. Arjan Pisha (Dinamo, Shqipëri)
8. Ansi Agolli (Vaasan Palloseura, Finlandë)
MESFUSHORË
1. Klodian Duro (Tirana, Shqipëri)
2. Blendi Shkëmbi (Partizani, Shqipëri)
3. Elis Bakaj (Partizani, Shqipëri)
4. Jahmir Hyka (Tirana, Shqipëri)
5. Gilman Lika (Vllaznia, Shqipëri)
6. Paulin Dhëmbi (Partizani, Shqipëri)
7. Bekim Kuli (Dinamo, Shqipëri)
SULMUES
1. Vioresin Sinani (Vllaznia, Shqipëri)
2. Daniel Xhafaj (Tirana, Shqipëri)
3. Migen Memelli (GAIS, Suedi)
4. Xhevair Sukaj (Vllaznia, Shqipëri)
5. Sabino Plaku (Dinamo, Shqipëri)
6. Shaban Ismaili (FC Stuttgart, Gjermani)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›