Tirana merkato franceze. Një marsejez nga PSG-ja

Eksluzive nga Arben Shemili
Ekipi i Tiranës ka hyrë fuqishëm në merkaton e Janarit. Eshtë folur shumë këto ditë në gazetat sportive për merkaton e Tiranës e cila drejtohet nga donatori Refik Halili. Ai është angazhuar personalisht duke vëzhguar disa lojtarë në vendet fqinje Maqedoni, Kosovë dhe sëfundmi në Paris të Francës. Në bashkëpunimin e menaxherëve të njohur shqiptarë në Paris, Sokol Murati (vëllai i Edvin Muratit) si dhe Gentian Shemili i cili mundëson ardhjen dhe aktivizimin e lojtarëve nga Franca në kampionatin shqiptar. Donatori Halili kësaj here i ka kërkuar menaxherëve një lojtar cilësor që të bëjë diferencën në skuadrën e Tiranës. Përgjigja ka qënë e menjëhershme nga ana e tyre, duke sjellë një Marsejez por që është pjesë e klubit PSG.
Laurent Mohellebi quhet lojtari i datëlindjes 05-01-1984, i lindur në Marsejë por i formuar në klubin e Monakos. Albania-sport ishte eksluzivisht gjithë kohën pranë lojtarit dhe e vetmja nga shtypi sportiv që arriti të merrte informacione të hollësishme mbi profilin e tij. Ai u kontaktua nga gazetarët e "sport ekspres", "koha tv" dhe "vizion +" por nuk u prononcua. Ai i kërkoi ndjesë për mosprononcimin e tij dhe u shpreh: "unë jam profesionist dhe nuk mund të jap asnjë intervistë përpara se klubi i Tiranës të më provojë dhe vetëm në qoftëse biem dakord të dy palët, mund të dal në konferencë shtypi apo të jap intervista"
Mbrëmë vonë u bë takimi midis donatorit Halili, lojtarit dhe menaxherët e tij Sokol Murati dhe Gentian Shemili. Takimi zgjati deri në mesnate dhe u arrit marrëveshja në parim që lojtari të jetë pjesë e klubit më të madh në shqipëri Tirana. Ne i morëm disa të dhëna rreth karrierës së tij si edhe përshtypjet e këtyre ditëve në Tiranë.
- Laurent, mund të na flisni dicka rreth karrierës tuaj?
"Unë jam lindur në Marsejë dhe formuar në klubin e Monakos. Kam marrë pjesë në të gjitha ekipet kombtare të moshave të Francës. Ajo më e rëndësishmja ka qënë fitimi i titullit kampion bote me U-18. Në finale kemi mundur Nigerinë me rrezultatin 3-0, trajner kishim Bari Loro."
- A mund të na thoni disa emra lojtarësh që u shpallën kampion bote bashkë me ju?
"Në formacionin e ekipit kanë qënë prezent, Magni (Lacio), Le Talek (Liverpul), Sinama Pougol (Liverpul), etj."
- Pra karrierën tënde si profesionist e keni filluar me një trofe kampion bote? Kush nga trajnerët ka ndikuar në formimin tënd si futbollist?
"Trajneri i cili më ka formuar më shumë si futbollist nga viti 1998-2001 është Gerard Banide (ish trajner i Francës në botërorin Meksikë '86), ai ka formuar edhe futbollistë si Amoros dhe Papen."
- E dini që ky trajner ka trajnuar dhe Edvin Muratin tek PSG-ja në vitin 1992?
"Po e mora vesh këto ditë duke biseduar me Edvinin i cili ka qënë këto ditë në Tiranë.
- Ndeshja juaj e parë si profesionist.
"Ndeshjen time të parë e kam bërë në moshën 19 vjec, Monako-Marsejë 0-2 me gola të Drogbas dhe Marley. Trajner kam pasur Didier Deshamp. Megjithëse e kam filluar me humbje, ka qënë një ndeshje që do të ngelë në mendjen time. Në këto momente jam i emocoinuar si atëherë, për ne Marsejezët është shumë e vështirë të luash kundra ekipit ku ke lindur dhe je rritur. Ne nuk themi që jemi francezë por marsejezë. Në ekipin tonë bënin pjesë lojtarë me emër si Morientes, Gallardo, Perso, Jugovic, Evra (Mancester Junajted), Adebajor (Arsenal), Bierhof, Stiv Marley Më vonë kalova në kategorinë e dytë për të gjetur më shumë hapsirë me Istra, ku qëndrova për dy vjet, pastaj me Kretel dhe së fundmi tek PSG."
- Si ka mundësi që nga PSG vini tek Tirana?
"Karriera e futbollistit ka momente të ndryshme. Unë jam profesionist dhe shkoj aty ku mund të gjej hapsirë që të përparoj në karrierën time. Menaxheri im në Paris Sokol Murati më bindi të vija në Shqipëri ku mund të luaja me ekipin më të mirë Tirana. Duke qënë se Tirana del pothuajse c'do vit kampion dhe luan në kupat e evropës, kjo është e rëndësishme për karrierën e futbollistit. Pastaj mendova meqë një shqiptar luan në Marsejë, përse edhe një marsejez si unë mos të luaj për Tiranën?... qesh."
- E njihni Lorik Canën?
"Personalisht nuk e njoh, por duke qënë se unë jam një tifoz i marsejës, natyrisht që jam dhe tifoz i tij. Ai është kapiten dhe idhull në Marsejë. Do t'ju tregoja një detaj. Kur mora telefonatën nga menaxherët, nuk më premtonte koha të kthehesha në shtëpi për të marrë cantën me veshjet e mija sportive se mund të humbisja avionin, kështu që u nisa menjëherë për në Tiranë me duar në xhepa. Miqtë e mi ktu në Tiranë më sollën një palë këpucë adidas të cilat ja kishin marrë një portieri të Shkumbinit Llani. Atij ja kishte bërë dhuratë Lorik Cana, pra ishin këpucët që ai kishte luajtur në Velodrome me Liverpulin."
- Në një nga gazetat "sport ekspres" është shkruar sot se ju keni veshur këpucët e Edvin Muratit dhe të kishin sjellë fat?
"Do ta kisha për nder dhe do të ishte vërtetë fat të vishja këpucët e Edvinit, një lojtar që kam shumë rrespekt për karrierën e tij, por fatkeqsisht ai ka numër 39 ndërsa unë kam numër 43. Kështu që nuk është e vërtetë dhe unë nuk i kam dhënë asnjë gazetari intervistë deri në momentin që jam duke folur me ju. Si ka mundësi që nëpër gazeta të shkruhet për mua kur unë nuk kam folur me asnjë gazetar?"
- Eh gjëra që ndodhin nganjëherë tek ne. Ju morët pjesë në një stërvitje ditën e parë me Tiranën dhe ditën tjetër zhvilluat nje ndeshje kontrolli. Si u paraqitët dhe cfarë rroli keni në fushë?
"Unë i thashë trajnerit Hafizi që luaj si rekuperator në mesfushë si edhe në krahun e majtë të mbrojtjes. Trajneri më provoi pjesën e parë në krah të majtë, pastaj në pjesë të dytë më caktoi rrolin tim të preferuar. Mendoj se i bëra mirë të dy rrolet, por fjalën e fundit duhet ta thotë vetë trajneri."
- Kur do të firmosni dhe të bëheni zyrtarisht lojtar i Tiranës?
"Ne ramë dakord parimisht për detajet e kontratës bashkë me zotin Halili, i cili ishte nje tip që më bëri për vete. Mendoj të marr dhe lejen nga klubi i PSG-së përfundimisht dhe pastaj do të firmos. Shpresoj se do ti zgjidh këto probleme në kohë për t'ju bashkuar ekipit në Kemer të Turqisë për fazën përgatitore."
- Ju falenderojmë dhe ju urojmë suksese.