E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi sot ne Berlin me ftese te Koehler

TIRANE- Presidenti Bamir Topi ndodhet sot për një vizitë zyrtare në Gjermani me ftesë të homologut të vet gjerman Horst Koehler. Që nga 1998 kjo është vizita e dytë e një presidenti shqiptar që viziton Gjermaninë.

Në tetor të vitit 1998, kur presidenti i atëhershëm i Shqipërisë Rexhep Meidani do të vizitonte Gjermaninë, bashkësia ndërkombëtare ishte duke u përgatitur për luftën e Kosovës. Që atëherë, nuk ka pasur më këmbime midis dy vendeve në nivel presidentësh.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Berlin, Valter Ibrahimi deklaron se "Vizita e presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, është shumë domethënëse, sepse tregon që niveli i marrëdhënieve politike, por edhe në fusha të tjera është kaq i konsiderueshëm, sa justifikon vizitat në këtë nivel", citon Deutsche Welle.

Dy presidentët do të diskutojnë për çështjet e integrimit evropian, për bashkëpunimin dypalësh, liberalizimin e vizave dhe bashkëpunimin ekonomik e atë në organizatat ndërkombëtare.

Në këtë vizitë kreu i shtetit shqiptar shoqërohet nga një delegacion i madh, ku është i pranishëm edhe zëvendës-kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta. Pjesën më të madhe të delegacionit e zë një grup biznesmenësh nga Tirana, të cilët në bashkëpunim me Dhomën e Industrisë dhe të Tregtisë të Berlinit do të zhvillojnë një forum për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, i cili në vitet e fundit ka pësuar një rritje të vazhdueshme.

Këmbimi ekonomik mes dy vendeve pritet të marrë edhe më shumë hov, mbas hyrjes në fuqi të marrëveshjes dypalëshe për shmangien e taksave të dyfishta dhe evazionit fiskal, e cila do të nënshkruhet sot pasdite në prani të ministrit të Jashtëm Ilir Meta. Vizita presidentit Topi në Berlin është këmbimi i katërt në nivel presidentësh që zhvillohet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Përveç Mejdanit, në cilësinë e presidentit të Shqipërisë, Gjermaninë e ka vizituar në vitin 1995 edhe Sali Berisha, ndërsa vizita e parë dhe e fundit e deritanishme e një presidenti të Republikës Federale Gjermane në Shqipëri është zhvilluar në vitin 1995 nga Roman Herzog.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›