E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi uron Presidentin e Bashkimit Europian, Herman van Rompuy me rastin e zgjedhjes në detyrën e lartë.

21 nëntor 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i dërgoi sot një mesazh urimi Presidentit të Bashkimit Europian, Herman van Rompuy me rastin e zgjedhjes në detyrën e lartë.

“I nderuar Zoti President,

Më lejoni t’ju dërgoj përgëzimet e mia më të mira për zgjedhjen në postin e lartë të Presidentit të Parë të Bashkimit Evropian!

Kjo zgjedhje, rrjedhojë e Traktatit të Lisbonës, do ta forcojë ndjeshëm rolin e Bashkimit Evropian, si zë të fuqishëm politik dhe ekonomik në arenën ndërkombëtare.

Shqipëria, vend i Ballkanit Perëndimor, anëtare e NATO-s dhe aspirante për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, e vendosur të luajë një rol moderator në rajon, kontribuese në stabilitetin, zhvillimin e integrimin e tij, çmon shumë të rëndësishme njëzëshmërinë politike të Bashkimit Evropian ndaj proceseve integruese të vendeve të rajonit tonë.

Me bindjen në vazhdimësinë e mbështetjes ndaj vendit tim dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të ngushtë midis Shqipërisë dhe BE, si dhe duke ju uruar edhe një herë për sukses në këtë mision, ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”, - thuhet në mesazhin e Presidentit Topi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›