Kryeministri Berisha: Objektivi i qeverise shqiptare, Shqipëria një superfuqi e vogël prodhuese, e energjisë së gjelbër në rajon

Kryeministri Berisha përshëndeti sot Samitin për Ndryshimet Klimatike të zhvilluar në Kopenhagë, Danimarkë. Në fjalën e mbajtur në seancën e këtij Samiti, kryeministri u shpreh se qeveria shqiptare i konsideron ndryshimet klimatike si një prej kërcënimeve më serioze me të cilën përballet planeti ynë dhe një prej çështjeve më komplekse që duhet trajtuar me vendosmëri dhe efikasitet.
Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare ka integruar ne Strategjinë e saj te Zhvillimit Kombëtar parimin e zhvillimit te qëndrueshëm, si dhe nxitjen e teknologjive te gjelbra duke synuar drejt një ekonomie pa karbon.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
"I nderuar Zoti Kryetar,
Te nderuar Shkëlqesi,
Te nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe Zotërinj,
është nder dhe privilegj i veçantë për mua të marr pjesë dhe ti drejtohem këtij Samiti te rëndësishëm për Ndryshimet Klimatike të mbajtur sot në Kopenhage.
Shfrytëzoj rastin të shpreh falënderimet e mia më të përzemërta për Mbretëreshën e Danimarkës dhe qeverinë e Lartmadhërisë së saj, për organizimin e shkëlqyer të këtij Samiti dhe mikpritjen e jashtëzakonshme që u rezervoi delegacioneve tona.
Ndryshimet klimatike përbëjnë një kërcënim serioz për planetin tonë, si dhe një nga çështjet me komplekse që duhet adresuar me vendosmëri e efikasitet.
Shqipëria, edhe pse çliron në atmosferë 5 herë më pak gazra, me efekt serre, për fryme të popullsisë, në krahasim me vendet e industrializuara, është një vend që ka filluar të përballet me pasojat që lidhen me ndryshimet korrente të klimës, veçanërisht në zonën e bregdetit të Adriatikut.
Shqipëria është e vendosur për të plotësuar detyrimet qe rrjedhin nga UNFCCC dhe Protokolli i Kyotos. Qeveria Shqiptare, ka integruar ne Strategjinë e saj të Zhvillimit Kombëtar parimin e zhvillimit te qëndrueshëm, si dhe nxitjen e teknologjive te gjelbra duke synuar drejt një ekonomie pa karbon. Gjithashtu, në politikat tona të zhvillimit ne po i përmbahemi parimit “Të veprojmë lokalisht dhe të mendojmë globalisht”.
Zonja dhe Zotërinj,
Objektivi i qeverisë sime është ta kthejë Shqipërinë në një superfuqi të vogël prodhuese, të energjisë së gjelbër në rajon.
Aktualisht rreth 95% e burimeve dhe konsumit të energjisë së vendit tim vjen nga energjia hidrike. Potencialet hidrike janë shumë të mëdha. Më shumë se 2/3 ngelet për tu shfrytëzuar. Në këtë kontekst, ne planifikojmë të ndërtojmë rreth 440 hidrocentrale me një fuqi totale prej së paku 20 miliardë kilovat/ore. Janë firmosur kontrata për rreth 130 prej tyre. Kompani nga e gjithë bota punojnë sot në Shqipëri. Kriza financiare ka ngadalësuar flukset financiare drejt tyre, ndaj dhe unë ftoj institucionet financiare të vendeve tuaja, si dhe institucionet ndërkombëtare të ndihmoni këto kompani për të vazhduar punën. Do të jetë shumë fitimprurëse, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin.
Shqipëria është vendi me lartësinë mesatare më të madhe në Evrope dhe ka një bregdet te gjate, me mbi 400 km. Ka platforma te mëdha ere, dhe ne po përpiqemi të inkurajojmë prodhimin e energjisë së erës. Deri tani janë licensuar mbi 2000 MW parqe eolike, mijëra te tjera janë ne studim e sipër. Janë nënshkruar kontrata prej më shumë se 5 bilion Euro, për projektet për prodhimin e energjisë, të cilat përfshijnë, energjinë hidrike, të erës dhe biomasën. Shpresoj se nga ky samit, institucionet financiare do të inkurajohen për ti dhënë prioritet financimit të projekteve të tillë.
Zonja dhe zotërinj,
Shqipëria po kalon një revolucion të ri industrial, sepse industria e mëparshme, për shkak të teknologjisë së vjetër, rezultoi në një dështim. Ne mbetemi të përkushtuar drejt së gjelbrës, në këtë epokë të re industrializimi të vendit tim.
Nga ana tjetër, pothuajse dy të tretat e vendit është i mbuluar nga pyje dhe kullota, me biodiversitetin më të lartë në Evropë. Ne mbetemi të përkushtuar në programin e pyllëzimit, të të gjitha zonave të shpyllëzuara gjate 5 dekadave të fundit, si edhe promovimit të eko-turizmit në këto zona.
Si një vend qe është ne procesin e integrimit ne bashkimin Evropian, gjithë zhvillimi industrial dhe aktiviteti ekonomik i vendit po realizohet nen rregulla te rrepta ligjore, miqësore me mjedisin dhe konform normave dhe standardeve te BE-se.
Zoti Kryetar, Zonja dhe Zotërinj,
Si një vend i prekur nga ndryshimet klimatike, Shqipëria është e interesuar dhe e gatshme, për te kontribuar për zgjidhjen e çështjeve për te cilat kohet e fundit po diskutohet intensivisht ne lidhje me ndryshimet klimaterike.
Ne besojmë se ky samit duhet ti gjeje rrugëzgjidhje për kuota te reja reduktimi te emetimeve te gazeve me efekt sere dhe te ofroje përgjigje për disa nga problemet e evidentuara gjate zbatimit te protokollit te Kyotos, si: krijimi i një sistemi monitorimi për zbatimin e detyrimeve për reduktim nga vendet anëtare, konsolidimi i një sistemi kontributi financiar dhe transfertash te teknologjisë ekologjikisht te pastër drejt vendeve ne zhvillim apo te pazhvilluara.
Sërish, dua t’ju siguroj se Shqipëria mbetet e gatshme te kontribuoje ne përpjekjet kundër ndryshimit te klimës dhe për te vene ne jete vendimet e këtij samiti te rëndësishëm.
Faleminderit për vëmendjen!
17/12/2009