E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi u uron femrave Festën e 8 Marsit

Kreu i shtetit me anë të një mesazhi ka uruar femrat shqiptare për festën e 8 Marsit. Presidenti ka inkurajuar femrën shqiptare për të mos reshtur luftën për të drejtat e saj legjitime. Ai pranon se barazia gjinore aktualisht është një sfidë 

TIRANE-Presidenti Topi ka uruar të gjitha gratë, nënat, motrat dhe vajzat shqiptare me rastin e Festës së tyre, 8 marsit.

Me anë të një deklarate për shtyp, Presidenti i Republikës uroi të gjitha femrat shqiptare me anë të një mesazhi ku theksohej nderimi për kontributin e çmuar që jep kjo gjini ne sfidat e jetës shqiptare.
“Në këtë ditë të shënuar dëshiroj të përcjell urimet më të përzemërta për të gjitha gratë, nënat e motrat tona për festën e tyre! Nderim dhe respekt të thellë për kontributin e tyre të gjithanshëm e të vazhdueshëm, një sfidë jo e vogël me të cilën ato përballen në çdo moment të ditës!”

Presidenti inkurajon femrën shqiptare për të mos ndalur përpjekjet për të drejtat e tyre. Kreu i shtetit nuk mohon faktin që emancipimi femëror vazhdon të jetë një proces i gjatë në shoqërinë shqiptare ndërsa barazia gjinore një sfidë. “Emancipimi femëror ka qenë dhe mbetet një proces i gjatë, i cili po ecën me ritme të jashtëzakonshme kudo në botë. Sot gratë kanë pozicione të rëndësishme në pushtet, mund të ndërmarrin çdo lloj karriere që dëshirojnë, e megjithatë barazia gjinore e pranuar formalisht nga të gjithë, mbetet ende një sfidë, për të cilën duhet të kontribuojmë të gjithë”.

Duke u ndalur në zgjedhjet e Qershorit, Presidenti Topi i mëshon faktit që femra shqiptare duhet të mbështetet dhe të përfshihet pasivisht në politikë. “Një mundësi e mirë janë zgjedhjet e afërta të përgjithshme dhe është koha që gratë të mbështeten në përfshirjen e tyre aktive në politikë, pasi tashmë po dëshmojnë se e justifikojnë plotësisht besimin që u është dhënë, duke i emëruar në insitucione të rëndësishme të pushtetit”.

“Duke ju uruar edhe një herë gëzuar festën, shpreh besimin se energjia dhe kontributi intelektual e jetësor i të gjitha grave mbetet një bazament i rëndësishëm për Shqipërinë tonë të dashur e cila po i afrohet çdo ditë e më shumë familjes europiane’’!, përfundon mesazhi i Presidentit Topi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›