E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi viziton ekspozitën përkujtimore “Ja Nju Jorku – Një demokraci fotografish”

12 shtator 2011

Me ftesë të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi vizitoi sot ekspozitën “Ja Nju Jorku – Një demokraci fotografish”, e cila është hapur në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në përkujtim të ngjarjeve tragjike të 11 shtatorit 2010.

Fjalën e hapjes në këtë ekspozitë e mbajti Ambasadori amerikan Arvizu, i cili ndër të tjera vuri në dukje vlerësimin për përkrahjen humane dhe solidaritetin e popullit dhe shtetit shqiptar për popullin amerikan të dëshmuar edhe gjatë këtyre dy ditëve të përkujtimit të ngjarjes së rëndë të 11 shtatorit 2010, kur si pasojë e sulmeve terroriste ndaj Kullave Binjake humbën jetën mijëra njerëz të pafajshëm.

Ndërsa Kryetari i Shtetit shqiptar u shpreh: “I nderuar Ambasador Arvizu! Të nderuar të pranishëm!

Së pari ju falenderoj për ftesën për të marrë pjesë në inaugurimin e një ekspozite që memorizon një ngjarje tragjike, ndoshta më të madhen e më tragjiken në kohët moderne! Ekzaktësisht si dje, dhjetë vite më parë, populli amerikan, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbarë bota demokratike u goditën nga një sulm barbar, i ideuar nga filozofia e errët e Al Kaedës, dora gjakatare e së cilës shkaktoi humbje të mëdha jetësh dhe një traumë të madhe psikologjike për mbarë popullin demokratik amerikan dhe për mbarë popujt demokratikë të botës. Sulmi mbi Kullat Binjake, sulmi mbi Pentagon apo avioni që u rrëzua në Pensilvani shkaktuan humbje jetësh, dhimbje të mëdha, shkaktuan mjaft lot dhe besoj, sikurse e kanë thënë shumë politikanë botërorë, ndryshoi rrjedhën e historisë. Sikurse do të shprehej edhe dje, në një ceremoni përkujtimore me këtë rast, Presidenti Barak Obama, gjithçka ndryshoi, vetëm një gjë mbeti e pandryshuar dhe e palëkundur: dhe ky ishte karakteri dhe shpirti amerikan. Falë këtij karakteri të fortë, falë këtij shpirti, falë madhështisë që ka kombi amerikan, Amerika u ringrit më e fortë dhe e rimodeloi botën për t’u bërë më e kujdesshme, më e organizuar, më bashkëvepruese, më solidare në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Ju duhet të jeni krenarë zoti Ambasador, si qytetar amerikan dhe si përfaqësues i qeverisë amerikane në Shqipëri për shpirtin e madh amerikan dhe karakterin e fortë! Më lejoni të theksoj se çdo shqiptar që është përkrah jush, ndien të njëjtën krenari në një aleancë të fortë me mikun dhe partnerin më të madh strategjik! Së bashku jemi në sfidat globale kundër terrorizmit. Kemi bashkëpunuar në Irak, në Afganistan dhe në mbarë globin. Të jeni i sigurtë zoti Ambasador se qoftë si aleatë në NATO, qoftë si partnerë strategjikë do të jemi gjithmonë së bashku me të njëjtin shpirt e me të njëjtin solidaritet për të vendosur bashkarisht paqen kudo në botë.

Sot Al Kaeda ka marrë një goditje mjaft të rëndë. Goditja është kundër kësaj filozofie të errët, por edhe kundër intrumenteve të saj. Më duhet t’ju them që lufta kundër terrorizmit, qoftë edhe në rastet sporadike, është e përditshme. Një rast të tillë, populli shqiptar, shteti shqiptar, sistemi gjyqësor e ndeshën vetëm dy ditë më parë kur një punonjës i nderuar i shtetit, i ligjit, mori goditjen në mënyrën më spektakolare dhe barbare në mes të Vlorës. Kështu që ne duhet të punojmë çdo ditë, çdo orë, çdo minutë së bashku në mënyrë që ta bëjmë botën më të qetë e më të paqtë.

Së fundmi, pa e zgjatur, do të doja të falenderoja të gjithë ata fotografë të thjeshtë që sikurse e thatë edhe ju, ishin spontanë në atë situatë tragjike! Natyrisht do të ishte shumë që këto gjëra të mos ndodhnin. Por kur ndodhin, këto duhet të bëhen pjesë e historisë që të memorizohen e të shërbejnë për brezat për të përkujtuar se si janë përballur dy filozofi të ndryshme, për të dëshmuar se si popujt e thejshtë janë treguar solidarë në situata të tilla kaq tragjike dhe në ç’mënyrë ata e ndërtojnë jetën së bashku për një botë më të mirë, më të paqtë e më solidarizuese.

Më lejoni që së fundmi, nëpërmjet jush, të ripërsëris edhe një herë përshëndetjet më të mira për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotin Barak Obama, duke e risiguruar për solidaritetin, për përkrahjen dhe për të gjithë atë partneritet që s’do të na mungojë kurrë.

I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të 11 shtatorit!
Zoti e bekoftë miqësinë mes dy vendeve tona!”

Më pas Presidenti Topi, i shoqëruar nga Ambasadori amerikan Arvizu ndoqi me vëmendje fotografitë e ekspozuara, dëshmi të atyre ditëve tragjike plot dhimbje, ankth e dilema njerëzore.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›