E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi vlerëson punën e medias: “Jeni avokatët më të mirë të qytetarëve”



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dha dje një pritje në ambientet e Pallatit të Brigadave me rastin e Vitit të Ri 2009 me të ftuar drejtues, gazetarë, administratorë, studiues dhe përfaqësues të tjerë të medias së shkruar dhe elektronike shqiptare. Gjatë fjalës së tij, kreu i shtetit vlerësoi punën e bërë nga gazetarët gjatë vitit 2008 duke i cilësuar ata si avokatë të qytetarëve. “Të nderuar gazetarë e drejtues të mediave, është kënaqësi të takohemi në këtë fundviti e t’ju kem në Pallatin e Brigadave për t’ju përgëzuar për punën tuaj të jashtëzakonshme në shërbim të emancipimit të shoqërisë e sidomos përkrah publikut. Sepse tashmë është e qartë që jeni ju avokatët më të mirë të qytetarëve duke na përcjellë të gjithë neve shqetësimet e sensibilitetet e tyre. Zakonisht në çdo fundviti bëhen bilance mbi punën e bërë përgjatë dymbëdhjetë muajve. Dhe duhet pranuar se bilanci juaj është pozitiv në drejtim të investigimit, por edhe të pasqyrimit të asaj çfarë ndodh me shoqërinë shqiptare, institucionet e saj e politikën e vendit”, - është shprehur Topi. Ai ka vënë në dukje se institucionet shtetërore shpeshherë janë vënë në lëvizje pas investigimeve të gazetarëve edhe pse jo gjithmonë me ritmin e kohën e duhur. “Keni një mision sa të rëndësishëm aq edhe delikat, i cili nuk duhet të influencohet aspak nga interesa të kujtdo qofshin dhe besoj se edhe konkluzionet e Progres-Raportit të Bashkimit Evropian mbi punën e medias duhet të lexohen qartë si nga mediat, ashtu edhe nga politika e biznesi. Liria e medias, edhe pse është një koncept i gjerë, nuk mund të mbetet më demogogji”, - është shprehur kreu i shtetit. Më tej, Presidenti Topi garantoi se institucioni i Presidentit do të mbetet transparent për gazetarët dhe mbështetës i medias së lirë. “Ju siguroj se Institucioni i Presidentit do të vazhdojë të mbetet transparent dhe mbështetës i medias së lirë e profesionale edhe në vitin e ardhshëm, i cili gjithashtu ka mjaft momente të rëndësishme për vendin tonë. Dhe pjesë e arritjeve të Shqipërisë padyshim që jeni të gjithë ju. Prandaj, duke ju falënderuar, ju uroj Gëzuar Festat, një Vit të Ri sa më të mbarë e me energji pozitive për të përmbushur misioni tuaj fisnik!”, - është shprehur kreu i shtetit.

24 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›