E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, 100 fëmijë të ngujuar mbeten pa shkollë

Apeli i misionarëve të paqes: Shteti të merret seriozisht me këta fëmijë, të cilët jetojnë si në arrest shtëpie

SHKODËR-Fëmijët e privuar nga vajtja në shkollë për shkak të ngujimit kanë qenë në qendër të apelit të misionarëve të pajtimit në Shkodër. Misionarë të ndryshëm, të cilët prej vitesh merren me pajtime gjaqesh e shuarje konfliktesh, jo vetëm në qarkun e Shkodrës, por dhe në zona të tjera të vendit, kanë kërkuar që shteti me strukturat e tij të merret seriozisht me këtë plagë të shoqërisë. Sipas kryetarit të misionit të paqes e pajtimit të Shqipërisë , Mustafë Daija, në rrethin e Shkodrës janë rreth 100 fëmijë të ngujuar, që të hënën nuk do të kenë mundësi t’i drejtohen bankave të shkollës për shkak të ngujimit nga gjakmarrja. Daija ka përshëndetur projektin e drejtorisë arsimore të Shkodrës , të mbështetur nga Ministria e Arsimit , që mundëson mësimin e 57 fëmijëve të ngujuar tëarsimit bazë 9- vjeçar në kushteshtëpie.

Misionarët e paqes kanë qenë të ashpërndaj pushtetarëve vendorë e qendrorë, që sipas tyre janë indiferentë ndaj këtij fenomeni, ndërsa respekti i tyre për punën e misionarëve është zero. Fran Shullani, misionar i paqes, ka shpjeguar se në emër të kanunit abuzohet sepse në asnjë fletë të tij nuk thuhet se duhen ngujuar e vrarë fëmijët e gratë. Ai ka qenë kritik dhe ndaj legjislacionit aktual të shtetit dhe zbatimit të tij në dhënien e dënimeve për autorët e vrasjeve. “Ai që qëllon i pari dhe vret një person dënohet me 10 vjet apo dhe më pak, ndërsa ai që vret se shteti nuk e dënon sa duhet vrasësin e njeriut të tij dhe i drejtohet vetëgjyqësisë dënohet me së paku 20 vjet . Për çfarëdo rrethane që ndodh një vrasje, dënimet duhet të jenë më të rënda, pasi vetëm duke qenë të tilla , minimizohet vetëgjyqësia “ -ka thënë misionari Shullani.

Sipas misionarëve të paqes e pajtimit të Shqipërisë, në harkun kohor të një viti janë realizuar 20% më shumë pajtime se një vit më parë dhe këto në 16% të tyre kanë qenë konflikte të ndodhura para vitit 2007. Në takim ështëtheksuar se emancipimi i qëllimeve dhe ndryshimi i taktikave të ndërhyrjes , ka ndikuar në shuarje konfliktesh pa arritur që ato të kenë pasoja të rënda. Misionarët e paqes kanë bërë apel shtetit për të ndërhyrë në eliminimin e fenomenit të ngujimit tek fëmijët , status i të cilëve është i barabartë me atë të arrestit në shtëpi, si dhe për të bashkëpunuar me të gjithë faktorët në zhdukjen e gjakmarrjes , hakmarrjes e vetëgjyqësisë.Sipas misionarëve të pranishëm në takim, numri i familjeve të ngujuara në qarkun e Shkodrës është tre shifror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›