E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i DASH: Trafikimi i qenieve njerëzore, Shqipëria mbetet burim

Qeveria shqiptare nuk përmbush standardet minimale për eliminimin e trafikut të qenieve njerëzore, edhe pse ka bërë përpjekje domethënëse në këtë drejtim. Kështu konstatohet në raportin e vitit 2009 të Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin. Në raportin ku studiohet situata e trafikimit në 175 shtete, për Shqipërinë thuhet se viktimat shqiptare trafikohen kryesisht në vendet e rajonit, por edhe në Europë. Shqipëria mbetet vendburim për trafikimin e grave dhe fëmijëve për qëllime të shfrytëzimit seksual, por edhe për punë të detyruar. Kryesisht mosha e të trafikuarve është nën 18 vjeç. Shumica janë gra dhe vajza, por ka edhe fëmijë dhe burra të cilët trafikohen për punë të detyruar në sektorin bujqësor në Greqi. Sipas raportit, korrupsioni i kudondodhur në të gjithë sektorët e shoqërisë shqiptare mbetet pengesë për uljen e trafikimit njerëzor në Shqipëri. Gjithashtu në këtë raport thuhet se qeveria nuk ka ndjekur penalisht kundravajtësit e trafikimit, apo zyrtarë publikë që morën pjesë apo lehtësuan trafikimin njerëzor. Raporti jep dhe rekomandime për Shqipërinë, se si të luftohet ky fenomen. Kështu thuhet se Shqipëria duhet të vazhdojë të ndjekë penalisht ata që marrin pjesë në trafikim dhe ata që lehtësojnë këtë trafik. Qeveria duhet të punojë me shoqërinë civile për të siguruar mbrojtjen e viktimave. Sidoqoftë, në këtë raport jepen edhe përpjekjet e faktuara që ka bërë qeveria shqiptare për të luftuar sadopak pasojat e trafikimit. Në lidhje me anën ligjore, vendi ynë ndalon me ligj trafikimin seksual dhe punën e detyruar. Gjithashtu ligji përmban ndëshkime deri në 15 vite burgim. Në vitin 2008 janë ndjekur penalisht 22 çështje trafikimi, sipas raportit. Në lidhje me mbrojtjen e viktimave të trafikimit, qeveria ka ofruar 262 mijë dollarë financime për strehën e kujdesit për të riatdhesuarat. Ndërsa për sa i përket parandalimit, edhe në këtë fushë janë bërë përpjekje nga qeveria shqiptare, ku në 2008-ën është miratuar një plan i ri kombëtar për të luftuar trafikimin, kryesisht të fëmijëve. Sidoqoftë, Shqipëria renditet në grupin e dytë, ku hyjnë vendet që nuk i plotësojnë plotësisht standardet në lidhje me luftën ndaj fenomenit të trafikimit të qenieve njerëzore. Nuk është hera e parë që Shqipëria është në qendër të kritikave ndërkombëtare për çështjen e trafikimit të qenieve njerëzore. Edhe në raportet e mëparshme është konstatuar puna e mangët e strukturave të shtetit në menaxhimin e kufijve. Kjo çështje është një nga pikat e monitoruara edhe nga ekspertët e Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian për sa i takon vlerësimit për liberalizimin e vizave me Ballkanin Perëndimor. Në konkluzionet e Komisionit Europian u konstatua se edhe në çështjen e menaxhimit të pikave kufitare, Shqipëria nuk merrte notë kaluese.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›