E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, Basha: Jemi në rrugë të mbarë

Dhjetë ditë para zgjedhjeve, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ripremtoi edhe njëherë se vizat me Bashkimin Europian do të hiqen brenda 12 muajve. Gjatë një konference për shtyp, kryediplomati shqiptar, duke vlerësuar deklaratën e bërë nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian, theksoi se Shqipëria po përparon me shpejtësi drejt objektivit madhor të qeverisë "Berisha". Më tej, ministri theksoi se për shqiptarët anembanë vendit dhe të afërmit tanë në emigracion, që mezi presin rënien e murit të fundit ndarës me Europën, ky është një lajm i shumëpritur dhe një ëndërr që po bëhet realitet. Njëkohësisht, tha Basha, ky është një vlerësim i reformave të jashtëzakonshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe një inkurajim i madh për t‘i përshpejtuar dhe zbatuar ato plotësisht. Sipas Bashës, "Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian hodhi një hap madhor drejt përmbylljes së procesit të heqjes së vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përmbushjes së dëshirës të qytetarëve tanë për të lëvizur të lirë dhe pa viza në Europë". Këshilli, tha Basha, përshëndeti progresin e qartë të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në realizimin e standardeve të përcaktuara në udhërrëfyesit mbi liberalizimin e vizave dhe inkurajoi Komisionin Europian që të paraqesë sa më parë një propozim, me qëllim që në rastin më të mirë, deri nga fundi i vitit 2009, të realizohet një regjim pa viza me ato vende që do të kenë plotësuar të gjitha standardet. "Për këtë arsye, këshilli përshëndeti përparimin e arritur deri tani dhe u bëri thirrje vendeve në rajon që të përshpejtojnë dhe zbatojnë reformat për realizimin së shpejti të standardeve të nevojshme", u shpreh Basha. Në lidhje me pyetjen pse në raport është folur me nota pozitive për Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi dhe është lënë disi në hije Shqipëria, Basha nënvizoi se "deklarata e Këshillit të Ministrave flet qartë dhe hedh poshtë çdo spekulim". Sipas Bashës, deklarata bën të qartë progresin e arritur nga të gjitha vendet tona dhe sqaron se ato vende që kanë plotësuar të gjitha standardet mund të presin në fund të këtij viti liberalizimin e vizave, ndërkohë që plotësimi i këtyre standardeve, përmbushja dhe zbatimi i reformave shikohet si një përparësi për të gjitha vendet. Sipas Bashës, akoma nuk ka një klasifikim, por për Shqipërinë lajmi i mirë qëndron te fakti se progresi i bërë në një kohë fare të shkurtër është jashtëzakonisht i madh, inkurajues dhe një shtyllë e fortë për të plotësuar objektivin tonë madhor, heqjen e vizave brenda 12 muajve. Ministri nënvizoi se heqja e vizave është për çdo shqiptar, pavarësisht nga bindjet politike dhe bazohet tërësisht në suksesin e Shqipërisë dhe reformave të ndërmarra nga ajo. "Konfirmimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga bindjet politike. Është i turpshëm, i papranueshëm dhe do të marrë përgjigjen e duhur spekulimi që Rama bën me këtë lajm kaq të shumëpritur nga shqiptarët anembanë vendit dhe jashtë në emigracion", tha Basha.

Reagimi

PS: Berisha dështoi

me regjimin e vizave

Partia Socialiste vlerësoi dje se qeveria "Berisha" dështoi me regjimin e vizave, madje, sipas selisë rozë, Kryeministri është arsyeja përse BE-ja vijon të jetë e rreptë me Shqipërinë për këtë çështje. Kandidatja e PS-së për Qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali, theksoi në një komunikim me mediat se për faj të kësaj qeverie vendi humbi shansin për të shkuar lirshëm në Maqedoni, Greqi apo Itali. "Berisha dështoi me vizat dhe Bashkimi Europian i vuri vizën Shqipërisë për shkak të Berishës, që na la jashtë paketës së fundit të liberalizimit ku hyri dhe Serbia. Pas kësaj, ne do ta kemi po aq të vështirë të hyjmë në Maqedoni sa dhe e kemi sot të shkojmë në Itali e Greqi. Ky dështim i turpshëm duhet dënuar me votë", tha ajo. Në emër të partisë që përfaqëson, Spiropali vuri në dukje se Edi Rama dhe Partia Socialiste angazhohen që vitin e ardhshëm t‘i heqin kufijtë me BE-në për të gjithë shqiptarët, të cilët meritojnë më shumë se një Kryeministër gënjeshtar dhe një ministër të Jashtëm papagall të Kryeministrit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›