Prostata, vuajnë 50 për qind e meshkujve mbi 50 vjeç
Më shumë se gjysma e meshkujve mbi 50 vjeç vuajnë nga prostata. Mjekët specialistë thonë se hipertrofia e prostatës, renditet e dyta, pas infarktit, për impatin që ka në cilësinë e jetës së pacientëve. ”Është një sëmundje progresive, që me kalimin e kohës rendohet n.q.s nuk trajtohet siç duhet. Komplikacioni më i zakonshëm është ai që quhet retensioni urinar akut, që në fakt është pamundësia për të urinuar dhe është një gjendje me dhimbje, që kërkon ndërhyjre urgjente mjekësore, shpesh kirurgjikale”, thonë mjekët. Sipas tyre, çdo mashkull mbi të pesëdhjetat që ka një trajekt të dobët urinar, duhet të drejtohet tek mjekët urologë. “Terapia me barna është më e përhapur për efektin përmirësues që ka dhe është komode për të sëmurin, në ndryshim me trajtimin kirurgjikal”, thonë ata, duke shtuar se shumë e rëndësishme është ndjekja dhe monitorimi i vazhdueshëm i sëmundjes me specialistin, që të trajtohet me barnat e duhura dhe në mënyrë që të evitohet rendimi i saj.
“Mënyra si ndikon jetën e pacientit, fillon që me gjumin e kufizuar gjatë natës, për shkak të zgjimeve disa herë gjatë natës për të urinuar, e deri tek kufizimi i lëvizjeve për kohë të gjatë apo larg tualetit, që është i domosdoshëm për këta pacientë për natyrën e simptomave”, saktësojnë mjekët. Simptomat e HBP nuk janë të parëndësishme. Ato kanë pasoja të rëndësishme njerëzore, përderisa ato ndikojnë negativisht mirëqenien e pacientit dhe indirekt mbarëvajtjen bashkëshortore, për shkak të problemeve të lidhura me ejakulimin dhe ereksinonin që shoqërojnë gravitetin e simptomave të HBP, në çdo kategori moshe.