E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti çek Vaclav Klaus do të vizitojë Shqipërinë në gjysmën e dytë të këtij viti

-          Presidenti çek shprehu bindjen se, me përpjekjet e mëdha të qeverisë shqiptare, Shqipëria do të arrijë ta realizojë integrimin në BE në një kohë shumë të shkurtër.

Në vazhdim të vizitës së tij në Pragë, Kryeministri Berisha u prit në një takim të veçantë, në Kështjellën e Pragës, nga Presidenti i Republikës çeke z.Václav Klaus.  

Presidenti çek i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Berisha dhe u shpreh se ndihej i lumtur të  priste në selinë e tij një mik të Shqipërisë, veçanërisht një mik personal të tij prej shumë vitesh, si dhe liderin që e shndërroi Shqipërinë në një vend që ka korrur kaq shumë suksese.  Ai vlerësoi dorëzimin nga ana e Kryeministrit Berisha të kërkesës së Shqipërisë për aplikimin si vend kandidat për në BE. Presidenti çek u shpreh se Çekisë iu deshën rreth 5 vjet për të arritur në anëtarësimin e plotë të vendit në BE, por sot kushtet janë të tjera. Në këtë kontekst, ai shprehu bindjen se, me përpjekjet e mëdha të qeverisë shqiptare, Shqipëria do të arrijë ta realizojë këtë proces në një kohë shumë të shkurtër.

Në këtë takim të përzemërt, Kryeministri Berisha falënderoi Presidentin Václav Klaus për mikpritjen dhe i shprehu mirënjohjen për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve në proceset integruese të saj.  Kryeministri tha se ndihej i lumtur që dorëzimi i aplikimit të Shqipërisë për në BE bëhet në kryeqytetin e Çekisë, në Pragë, ndërsa theksoi se qeveria shqiptare e konsideron procesin e integrimit si një proces të pandalshëm dhe të bazuar në meritë të plotë. Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi se akti i sotëm i dorëzimit të aplikimit të Shqipërisë do të shërbejë për qeverinë si një shtysë e mëtejshme dhe inkurajim për të vazhduar në rrugën e reformave të ndërmarra në të gjitha fushat.

Nga ana e tij, Presidenti i Republikës çeke z.Václav Klaus, u shpreh se për Shqipërinë dita e sotme është një moment historik. Ai vlerësoi lart maturinë e qeverisë shqiptare në këtë proces, duke theksuar se ajo priti të përfundonte procesi i nënshkrimit të MSA-së nga 27 vendet e BE-së, si një njohje e plotë e bërë prej tyre për suksesin e reformave të mëdha në Shqipëri.   

Të dy personalitetet u ndalën në këtë takim edhe në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, duke ndarë të njëjtin mendim për inkurajimin e investimeve me interes të përbashkët në të dy vendet.  Presidenti çek u shpreh se do të kontribuonte në nxitjen e investitorëve çekë për të ardhur në Shqipëri, në mënyrë që niveli i investimeve dypalëshe të njihte rritje të dukshme. 

Kryeministri Berisha e ftoi Presidentin çek Klaus për të vizituar Shqipërinë, ftesë të cilën ai e pranoi me kënaqësi dhe tha se do ta vizitonte vendin tonë në gjysmën e dytë të këtij viti.


28/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›