Kosovë, zhvillohet sot raundi i dytë i zgjedhjeve lokale
Blerina Olldashi
Kosova shkon sot në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Zgjedhjet do të zhvillohen në 21 komuna, nga 36 që ishin gjithsej, ku nuk pati një fitues të qartë në raundin e parë të 15 nëntorit. Mijëra qytetarë do t’i drejtohen qendrave të votimit për të zgjedhur kryetarët e këtyre komunave. Në garë do të ketë në secilën komunë nga dy kandidatë që pretendojnë të marrin pushtetin. Ndër qytetet e mëdha ku do të zhvillohet balotazhi janë: Prizreni, Mitrovica, Gjilani e Peja, ku edhe gara është më e fortë. Partia Demokratike e Kosovës ka numrin më të madh të kandidatëve që garojnë në raundin e dytë. Pas saj vjen Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe koalicioni AKR-LDD. Në garë janë edhe dy kandidatë nga subjektet politike serbe për komunën e Shtërpcës dhe atë të Novobërdës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që nesër të hapen me kohë të gjitha vendvotimet. Sekretari ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Xhemajl Peçani, tha se gjithçka ishte gati për ditën e zgjedhjeve. Kurse, materiali zgjedhor, sipas tij, është i sigurt dhe do të shpërndahet nëpër qendrat e votimit, në bashkëpunim me organet e rendit. “Ky plan është bërë në koordinim edhe me Policinë e Kosovës. Ne, tashmë, e kemi bërë shpërndarjen e materialit për të gjitha 21 komunat, nëpër qendrat e votimit dhe tani ky material gjendet në depot e komisioneve komunale dhe është duke u ruajtur dhe siguruar nga Policia e Kosovës. Ndërsa, në mëngjesin e datës 13, duke filluar nga ora 05:00, do të fillojë shpërndarja e materialit zgjedhor në të gjitha qendrat e votimit”, deklaron Peçani. Ndërkohë, edhe Policia e Kosovës thotë se ka përgatitur një plan operativ për ditën e zgjedhjeve, duke angazhuar rreth katër mijë policë, të cilët do të kujdesen për sigurinë e qytetarëve dhe për sigurimin e materialit zgjedhor. Fushata parazgjedhore ka kaluar pa incidente të mëdha. Megjithatë pati dy ngjarje të forta që pasuan zgjedhjet e 15 nëntorit. E para ishte lajmi për prishjen e koalicionit PDK-LDK, që rrezikoi dhe rënien e qeverisë kosovare, por ky lajm u përgënjeshtrua menjëherë. Rasti i dytë ishte çështja Bllaca, ku një ish-pjesëtar i shik-ut ka rrëfyer se ka marrë pjesë në 17 aksione për vrasje, plagosje e shantazh, në urdhrat e zyrtarëve të lartë. Këto ngjarje kanë bërë që rivaliteti mes dy partive në koalicionin qeveritar të jetë shumë i fortë. Ndaj partitë kanë ndryshuar koalicionet para zgjedhjeve të raundit të dytë. KEshtu LDK-uja ka bërë koalicion me AAK-në në Prizren, Gjilan, Dragash.
14 Dhjetor 2009