Presidenti dekoron sot përfaqësuesit e komuniteteve fetare
Presidenti Bamir Topi do të dekorojë sot një ditë pas festës së Pashkëve, me urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" përfaqësuesit e katër komuniteteve fetare për kontributin e tyre në ushtrimin e besimit, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare në Shqipëri. Kreu i shtetit do të dekorojë kryetarin e komunitetit mysliman, Hafiz Selim Muça, kryetarin e komunitetit katolik, arkipeshkvi i Durrësit dhe i Tiranës, Monsijor Imzot Rrok Mirdita, kreun e komunitetit bektashi, Haxhi Dede Reshat Bardhi, si dhe Kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Anastas Janullatos. Topi është i pari President shqiptar që e ndërmerr këtë hap, për të dekoruar përfaqësuesit e katër komuniteteve fetare në vend.