Topalli, opozitës: Të dialogojmë në Parlament
Sot është momenti të lëmë pas interesat partiake dhe personale
Në ditën e Pashkëve, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i bën apel opozitës të mendojë për vendin dhe jo për interesat e saj. Kryeparlamentarja pohoi pas daljes nga Kryepeshkopata e Kishës Ortodokse Autoqefale në Tiranë se duhet të mendohet më shumë për dialogun në Parlament. Sipas saj, duhet të kapërcehen situata artificiale dhe të mendohet për të mirën e vendit. Mesazhi i saj vjen në një kohë kur pozita ka nisur protestat në gjithë vendin, ndërkohë që në Parlament merr pjesë vetëm gjatë diskutimeve të lira dhe e braktis atë në momentin e diskutimit apo votimit të projektligjeve. Me rastin e Pashkëve, Topalli uroi dhe gjithë besimtarët ortodoksë dhe katolikë.
Urimi
Nëse ringjallja ka ndodhur ndër dy mijë vjet me Krishtin, unë mendoj se për kombin shqiptar ditët e ringjalljes janë këto që ne po jetojmë, - tha sot kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke uruar të gjithë besimtarët për festën e Pashëve. Urimi i saj u përcoll nga Kryepeshkopata e Kishës Ortodokse Autoqefale në Tiranë ku ajo i bëri urimet më të mira Hirësisë së tij, Anastas Janullatos. Kjo është një ditë gëzimi për të gjithë, sidomos për ne shqiptarët është dita e forcës dhe e fuqisë që ka vetë simbolika e ringjalljes. Unë u uroj të gjithë të krishterëve, ortodoksë e katolikë: Gëzuar Pashkët! Por, në fakt kjo është një festë e të gjithë shqiptarëve ndaj dhe unë i uroj të gjithë shqiptarëve: Gëzuar Festën e Ringjalljes!, - tha ajo. Të njëjtin urim kryeparlamentarja përcolli edhe për besimtarët katolikë gjatë vizitës së saj në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku u prit nga Arqipeshkvi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot Rrok Mirdita.
Urimet më të mira, gëzuar pashkët! Është momenti në të cilin të gjithë bashkë, jo vetëm sot, por çdo ditë, çdo orë duhet të përcjellim më shumë se kurrë shpirtin e humanizmin, gjë për të cilën ka nevojë çdo familje, çdo fëmijë, çdo burrë, çdo grua, çdo pensionist, - tha kryetarja e Kuvendit.
Mesazhi për opozitën
Në këtë ditë feste kryeparlamentarja ka përcjell dhe një tjetër mesazh, por këtë herë në mënyrë të veçantë për opozitën. Sipas saj, duhet të lihen pas interesat partiake dhe të mendohet për të mirën e vendit. Absolutisht kjo është dita në të cilën duhet të mendohet më shumë për dialogun në Parlament, për bashkëpunimin, për pajtimin, për kapërcimin e situatave artificiale dhe për të menduar për atë që është më e rëndësishme për vendin dhe jo për atë që është në axhendën personale; për të menduar për atë që kanë më shumë interes shqiptarët, që është liberalizimi i vizave dhe jo për interesin partiak apo personal në sjelljet politike apo aksionet e ndryshme personale, - pohoi kryetarja e Kuvendit.