E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton kriteret për blerjen e truallit në pronësi të shtetit



Eljona Ballhysa

Këshilli i Ministrave ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme kriteret për kalimin në pronësi të parcelave bujqësore individëve që depozitojnë kërkesën për blerjen e tyre. Një mbledhje më parë kryeministri Berisha deklaroi se do të jepen në pronësi të pronarëve oborret apo parcela trualli që janë në pronësi të shtetit dhe që nuk i janë transferuar ende pushtetit vendor. Pikërisht gjatë mbledhjes së djeshme qeveria miratoi vendimin për kalimin në pronësi të sipërfaqeve që janë rrugëkalime parcelash bujqësore, sipërfaqe të zëna nga impiante bonifikuese, kanale kullimi apo vaditjeje, që janë në pronësi të shtetit dhe të patransferuara në inventar të organeve të qeverisjes vendore. Ose që janë sipërfaqe të përfshira brenda një pasurie të paluajtshme, në pronësi të kërkuesit apo që rrethohet ose lidh dy a më shumë pasuri të paluajtshme në pronësi të kërkuesit. Po kështu do të jepen dhe sipërfaqet në të cilat kërkuesi ka ngritur ndërtesa banimi, sociale apo industriale, apo që janë pjesë e një studimi urbanistik të miratuar, të patrajtuara nga legjislacioni përkatës, për legalizimin dhe urbanizmin e ndërtimeve pa leje, si dhe sipërfaqet që janë në masë deri në 20 për qind të sipërfaqes së tokës, në pronësi të kërkuesit.
Kriteret
Për të bërë kalimin e pronësisë së këtyre parcelave kërkuesit duhet të paguajnë në numrin e llogarisë bankare, që do të përcaktohet nga Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave, një kapar në masën 20% të vleftës në lekë, të sipërfaqeve, që do të tjetërsohen në pronësi të tyre, sipas çmimit përkatës, të përcaktuar sipas metodikës për vlerësimin e pronës së paluajtshme. Kërkesa për të blerë sipërfaqen e truallit duhet të depozitohet në zyrën e AKKP-së në Tiranë, e shoqëruar me dokumentacion provues. Kështu, për të blerë sipërfaqet e zëna nga impiante bonifikuese, kanale kullimi apo vaditjeje duhet të merret miratimi nga ministria përkatëse. Në rastet e ndryshimit të projekteve aplikuesi duhet të paraqesë dhe të ndërtojë, me shpenzimet e veta, ndryshimet e mundshme në veprat në fjalë për ruajtjen e funksionit. Përveç kësaj, kërkuesi duhet të paraqesë në dosjen e tij dokumentin e lëshuar nga ZRPP-ja, që vërteton pronësinë e tij mbi pasuritë e paluajtshme, të cilat ndodhen brenda apo rrethojnë ose lidhen nga sipërfaqja që kërkohet të tjetërsohet. Dosja duhet të përmbajë dhe dokumentin e lëshuar nga ZRPP-ja, që vërteton pronësinë e shtetit mbi pasuritë e paluajtshme që kërkohen të tjetërsohen, si dhe plan-vendosjen e sipërfaqes së kërkuar për t’u tjetërsuar, të lëshuar nga ZRPP-ja.
Procedura
Pas marrjes së kërkesës dhe dokumentacionit të lartpërmendur nga kërkuesi blerës, AKKP-ja dërgon për verifikim në zyrën e AKKP-së në qark, në juridiksionin e së cilës ndodhet sipërfaqja që kërkohet të tjetërsohet, brenda 10 ditëve nga data e mbërritjes së kërkesës, praktikën e plotë me të gjithë dokumentacionin që shoqëron kërkesën. Zyra e AKKP-së në qark, brenda 30 ditëve nga data e marrjes në dorëzim të dokumentacionit, kryen verifikimin e hollësishëm dhe konfirmon faktin nëse kërkesa dhe dokumentacioni shoqërues i përmbushin kushtet e përcaktuara në këtë vendim. Verifikimi i kushteve bëhet nëpërmjet inspektimit në terren nga punonjësit e zyrës së AKKP-së në qark. Gjithashtu, zyra e AKKP-së në qark u drejtohet organeve që kanë lëshuar dokumentet me kërkesën për konfirmimin e vërtetësisë së tyre. Zyra e AKKP-së në qark ka detyrë të kryejë saktësimin e kufijve të sipërfaqes që kërkohet të tjetërsohet, duke kryer matje në terren. Në përfundim të shqyrtimit zyra e AKKP-së në qark ka detyrimin ta përcjellë dosjen, së bashku me relacionin teknik, pranë AKKP-së në Tiranë. Zyra e AKKP-së në qendër, brenda 10 ditëve nga data e mbërritjes së dosjes, pasi verifikon zbatimin e përpiktë të kërkesave të këtij vendimi, njofton kërkuesin, sipas rastit, për detyrimin për të paguar për llogari të AKKP-së, për fondin e kompensimit financiar, kaparin e përllogaritur sipas këtij vendimi të sipërfaqes që do tjetërsohet, ose mospërmbushjen e kritereve të përcaktuara në këtë vendim.
Kalimi i pronësisë së sipërfaqes që do të tjetërsohet për llogari të fondit të kompensimit financiar bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, në bazë të materialeve të paraqitura nga drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, brenda 10 ditëve nga data e mbërritjes së mandatpagesës origjinale, që vërteton pagesën e kaparit.

8 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›