E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti dekreton datën 15 nëntor për zgjedhjet e pjesshme



Presidenti Topi ka dekretuar caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme për pushtetin vendor në Shqipëri. Zgjedhjet në disa komuna të vendit dhe në Njësinë Bashkiake Nr. 10 në Tiranë do të zhvillohen në datën 15 nëntor. Zgjedhjet do të zhvillohen për shkak se ish-të zgjedhurit vendorë dhanë dorëheqjen nga postet që mbanin për shkak të kandidimit në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Në datën 5 nëntor do të zhvillohen zgjedhje për pushtetin vendor në komunën Otllak, në komunën Fierzë, në Fushë-Arrëz, në bashkinë e Klosit dhe në Njësinë Bashkiake Nr. 10 në Tiranë. Presidenti Topi ka dekretuar datën 15 nëntor si datën për zgjedhje të pjesshme për kryetarë komunash dhe bashkish të mbetura vakant pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, në të cilat drejtuesit e këtyre vendeve u bënë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Berisha takon ambasadoren e Britanisë
“Mbretëria e Bashkuar do të mbështesë proceset integruese të Shqipërisë”

Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, zonjën Fiona Mekllëham, e cila i shprehu kryeministrit Berisha urimet e saj më të përzemërta dhe të sinqerta për rizgjedhjen e tij në detyrën e kryeministrit. Ambasadorja britanike Mekllëham i shprehu kryeministrit Berisha mbështetjen e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për reformat integruese dhe perspektivën europiane të Shqipërisë.
“Mbretëria e Bashkuar do të japë një mbështetje të fortë për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe programin e reformave që do sigurojnë të ardhmen europiane të vendit”, - konfirmoi ambasadorja britanike në Tiranë, Fiona Mekllëham, në një takim me kryeministrin Sali Berisha dhe anëtarët e kabinetit të ri qeveritar. Gjatë ditës së djeshme kryeministri Berisha ka marrë një sërë urimesh për rizgjedhjen e tij në këtë detyrë edhe nga ambasadorja e Sirisë, rezidente në Athinë, zonja Houda Al Houmsi, ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, zoti Wang Jungling, me të cilët kryeministri Berisha zhvilloi takime të veçanta. Ambasadorja e Sirisë, zonja Houda al Houmsi, i shprehu kryeministrit Berisha urimet për rizgjedhjen, si dhe për fillimin e punës së qeverisë së re. Gjatë takimit, të dyja palët diskutuan për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve, të cilat, theksuan ata, janë marrëdhënie tradicionalisht të mira. Ambasadori kinez, Wang Jungling, pasi e uroi kryeministrin Berisha për rizgjedhjen në këtë detyrë, u shpreh se “gjatë viteve që Ju keni qenë lidership, marrëdhëniet midis dy vendeve kanë njohur një nivel shumë të lartë në fushën politike dhe ekonomike, ka pasur një intensifikim të vizitave të nivelit të lartë.”

Topi takon kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Kroacisë
“Synimi ynë është forcimi i pavarësisë së pushtetit gjyqësor”

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Kroacisë, Jasna Omejeç dhe delegacionin që e shoqëronte. Në këtë takim ishte i pranishëm dhe kryetari i Gjykatës sonë Kushtetuese, Vladimir Kristo.
Në këtë takim bashkëbiseduesit ndanë mendimin se në mënyrë të natyrshme, institucione të tilla, si gjykatat kushtetuese, njohin dhe përballen dhe me vështirësi jo vetëm në Shqipëri, por besoj dhe në sisteme të tjera politike, pasi e tillë është natyra e punës së gjykatave kushtetuese. “Për Drejtësinë Kushtetuese të një vendi është shumë i rëndësishëm zbatimi i vendimeve të gjykatave kushtetuese”, - nënvizoi presidenti Topi.
Në vijim të bisedës, presidenti Topi e njohu kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Kroacisë, znj. Omejeç, me ecurinë e reformës në sistemin e Drejtësisë në vendin tonë. “Synimi është të reformojnë sistemin, të garantojnë forcimin e mëtejshëm të pavarësisë dhe lirisë kushtetuese të së sistemit gjyqësor”, - theksoi kryetari i shtetit dhe shtoi se “është e rëndësishme harmonia dhe stabilizimi i institucioneve të shtetit dhe shteti, nga ana e tij, duhet të sigurojë garanci për interesat e qytetarëve”. Nga ana e saj, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kroacisë, Jasna Omejeç, falënderoi presidentin Topi për pritjen dhe për ekspozenë e përgjithshme të bërë për zhvillimet në vend.

3 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›