E Diel, 1 Nëntor 2026

Kthimi i pronës, Kuvendi pritet të shtyjë afatin për shqyrtimin e kërkesave të ish-pronarëve

Drejtues të AKKP-së bëjnë të ditur se ka shumë kërkesa nga ish-pronarët. Afati i përcaktuar në ligj për kthimin fizik të pronës ishte data 31.12.2008

Eljona Ballhysa
Kuvendi pritet të shtyjë sërish afatin e shqyrtimit të kërkesave të ish-pronarëve për kompensimin fizik të pronës. Kjo bëhet e ditur nga drejtues të AKKP-së, të cilët njoftojnë se pranë kësaj agjencie është depozituar një numër i madh kërkesash për kthimin e pronave. Ndërkohë që afati përfundimtar ka qenë data 31 qershor. Në ligjin për kthimin dhe kompensimin fizik të pronave afati përfundimtar ishte përcaktuar data 31 dhjetor i vitit 2008, por Kuvendi e shtyu dhe për gjashtë muaj të tjerë këtë afat për shkak të fluksit të madh të kërkesave të depozituara. Ndërkaq bëhet e ditur se një numër i madh kërkesash janë depozituar pranë Agjencisë dhe pritet një tjetër vendim i Kuvendit për shtyrjen e afatit në mënyrë që këto kërkesa të shqyrtohen nga ekspertët e Agjencisë.
Afati
Nëndrejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Pronave, Genci Çelo, bëri të ditur pak kohë më parë, gjatë një interviste për gazetën “Albania”, se është e nevojshme që të përcaktohet një afat i ri për shqyrtimin e kërkesave të ish-pronarëve përsa i përket kompensimit fizik të pronave. “Procesi i kthimit të pronave varet nga shumë faktorë. Ligjërisht procesi i kthimit të pronës është mbyllur që më 31 dhjetor të 2008-s për dorëzimin e dokumenteve, por ka pasur dhe një afat të dytë deri më 31 qershor 2009, si afati i fundit për shqyrtimin e kërkesave. Megjithatë, ka shumë kërkesa që janë dorëzuar dhe nuk janë shqyrtuar. Por, çështja e afatit përcaktohet nga Parlamenti. Unë mendoj se përsa i përket trajtimit të kërkesave të depozituara, mendoj se duhet të ketë një shtyrje të afatit meqenëse janë shumë dosje që duhen shqyrtuar”, - është shprehur Çelo. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit prej më shumë se një viti nuk jep më vendime për kthimin fizik. Ndërsa procesi i shqyrtimit është mbyllur që në qershor të vitit 2009.
Ligji
Në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronës, në Nenin 24 të këtij ligji përcaktohet se “procesi i njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave të paluajtshme përfundon në datën 31.12.2008, me përjashtim të kryerjes së pagesës së kompensimit, e cila duhet të përfundojë në afatin e parashikuar në Nenin 23 të këtij ligji”. Mbi këtë bazë, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk mund të kryejë asnjë veprim për njohjen dhe kthimin e pronës në asnjë prej zonave të Shqipërisë. Por ky afat është shtyrë njëherë nga Kuvendi, i cili përcaktoi si afat përfundimtar qershorin e vitit 2009. Ashtu siç thekson edhe Neni 24, i vetmi proces pune që po kryen tani personeli i agjencive në rrethet kryesore, sipas shpërndarjes së strukturës, është ai i kryerjes së pagesës së kompensimit të ish-pronarëve.

Kompensimi financiar i pronarëve do të zgjasë deri në 2015-n

Ndërsa afati për kompensimin financiar të pronarëve është viti 2015. Kjo përcaktohet në Nenin 23 të ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”. Në këtë nen theksohet se “duke filluar nga viti 2005 dhe për një periudhë 10-vjeçare resht, Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave, cakton fondin e kompensimit, i cili administrohet nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për kompensimin në të holla të subjekteve të shpronësuara”. Në këtë nen bëhet e ditur se për periudhën nga njohja e së drejtës së pronësisë deri në marrjen e shpërblimit subjekti i shpronësuar përfiton edhe interesin bankar sipas mesatares vjetore të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë. Ky ligj ka caktuar një afat edhe për shpërndarjen e këtij fondi parash që ka vendosur qeveria nga buxheti i shtetit. “Ekzekutimi i vendimit për kompensim financiar kryhet brenda 6-mujorit të parë të çdo viti financiar. Këshilli i Ministrave përcakton rregullat dhe kriteret për trajtimin e vendimeve të kompensimit financiar”, - theksohet në Nenin 17 të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës.

Kompensimi financiar për vitin 2009 pritet të bëhet brenda 15 tetorit

Fondi prej 600 milionë lekësh të rinj, të vëna në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për vitin 2009, pritet të shpërndahet brenda datës 15 tetor, që është dhe afati përfundimtar që përcakton vendimi i qeverisë. Për këtë fond kanë aplikuar mbi 600 pronarë, por pritet që vetëm një numër i vogël të shpërblehet për shkak se përzgjedhja e tyre do të bëhet sipas rendit kronologjik të vendimeve të marra për njohjen e pronës. Ndërkaq, qeveria ka parashikuar në buxhetin afatmesëm një fond prej 2.1 miliardë lekësh për të realizuar kompensimin financiar të ish-pronarëve deri në vitin 2011. Të dhënat bëhen publike në programin buxhetor afatmesëm, ku theksohet se nga viti në vit shifra e ish-pronarëve që do të përfitojnë të holla do të jetë rreth 500, ndërsa fondet do të shtohen rreth 100 milionë çdo vit. Në vitin 2009 kjo shifër është miratuar tashmë në vlerën 600 milionë lekë, për vitin 2010 kjo shifër do të arrijë në 700 milionë lekë dhe në vitin 2011 plot 800 milionë lekë do të vihen në dispozicion të ish-pronarëve.

Çfarë parashikon programi afatmesëm

Sipas programit, politikat konsistojnë në njohjen dhe respektimin e të drejtave të pronësisë së subjekteve të shpronësuara nëpërmjet njohjes së pronës, kthimit dhe kompensimit fizik e financiar. “Realizimi i procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave do të përcaktohet në një kohë sa më të shkurtër dhe kthimi fizik i pronës do të bëhet në kufijtë maksimalë aty ku është e mundur dhe në pamundësi kompensimin e saj sipas formave të përcaktuara në ligj, kompensim fizik ose kompensim financiar”, - thekson dokumenti. Ky program do të shoqërohet edhe me rivlerësim të përvitshëm të treguesve të hartës së vlerës së tokës, ku përcaktohet vlera në lekë për metër katror sipërfaqe trualli për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, duke iu përshtatur çmimit të tregut për një vlerësim sa më real të pronës. Për lehtësimin e kushteve të punës së administratës së Agjencisë së Kthimit të Pronave dhe miradministrimit të saj është përcaktuar edhe plotësimi me pajisjet e nevojshme për të garantuar cilësi në dokumentacion. E gjithë kjo bëhet me qëllim arritjen e standardeve të politikës së programit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, duke u mbështetur në politikën e qeverisë për integrimin në BE.

3 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›