E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti dhe reformat, Sanino takon Ramën

Rama gjatë një takimi me Saninon

Drejtori për Zgjerimin në KE, Stefan Sanino, po zhvillon një takim me liderin e opozitës në Shqipëri. Takimi i tij me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, po zhvillohet në selinë e PS-së.

Sanino shoqërohet në këtë takim nga kreu i prezencës së Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sekiu.

Sanino viziton Tiranën në një moment kyç ku pritet të zhvillohet raundi i tretë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe gjithashtu pritet finalizimi i reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare. /F.S/

*    *    *

Sfida e konsensusit për Presidentin e Republikës e gjen Shqipërinë nën një monitorim intensiv nga ana e institucioneve europiane. Përpjekjet për të gjetur një emër të përbashkët do të kenë mundësi të vlerësohen, apo edhe të nxiten sot teksa në Tiranë mbërrin Drejtori për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sanino.

Ndonëse axhenda e tij bën pjesë në komunikimin institucional me autoritet shqiptare, për sa i përket përmbushjes së 12 rekomandimeve për integrimin, sërish çështja e Presidentit bën pjesë në të, si një moment përcaktues për klimën politike në vend. Për më tepër që Sanino është zëvendës i Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule, i cili pak ditë më parë u drejtoi dy politikanëve kryesorë në vend, Sali Berisha dhe Edi Rama një letër ku apelonte për dialog.

Një arsye që e bën të kuptueshëm diskutimin e çështjes së Presidentit, është edhe seria e takimeve që Sanino parashikohet të zhvillojë: në fillim do të takohet me kryeministrin Sali Berisha, më tej me kreun socialist, Edi Rama, për të vazhduar me kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta dhe ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto.

Vizita e Saninos, përkon edhe me seancën plenare ku do të vendoset koha e zhvillimit të raundit të tretë, që është përcaktues për të provuar nëse palët do arrijnë ose jo konsensus. Me gjasë, shumica do të vendosë për zhvillimin e tij nesër në datën 8 qershor, pavarësisht se opozita ka kërkuar datën 10 si afat. /S.Z/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›