“Presidenti do të zgjidhet brenda 3 raundeve të para”
Deputeti Enkelejd Alibeaj Mazhoranca garanton se do zgjedhë presidentin e ri të Republikës, brenda tre raundeve të para. Çka nënkupton se kartonëve të së djathtëve do t’i bashkohen edhe ato të kampit opozitar. Deklarata vjen nga deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj i cili për AS thotë se zgjedhja e kreut të ri të shtetit do të jetë më pak e mundimshme se ajo e Bamir Topit në 2007-ën. “Maksimumi do të jenë tre raunde, shpresojmë të mos përfundojë me keqardhje apo me qejfmbetje”, tha Alibeaj. Por, tensioni që mund të prodhojë zgjedhja e kreut të ri të shtetit, sipas tij mund të përdoret si alibi e opozitës për të vonuar ose bllokuar reformën zgjedhore. “Do të kërkoja të reformohej diçka më tepër në kodin zgjedhor se sa kaq. Kjo ndoshta mund të shtyjë dhe kohën. Zgjedhja e presidentit është çështje tjetër, nuk ka lidhje me ecurinë e procesit të parë”, tha ai. Sipas kushtetutës në nenin 87, President zgjidhet ai që në 3 votimet e para, merr jo më pak se 84 vota. Në raundin e katërt dhe të pestë mjaftojnë 71 kartonë, pra dhe vetëm ato të mazhorancës.
...