E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çefa: Njohja e pronave merr fund në 2011

 

BLEDAR HOTI

Brenda 2011 AKKP-ja duhet të shqyrtojë të gjitha kërkesat për njohje dhe kthim prone. Drejtori i përgjithshëm i AKKP-së, Elvis Çefa në intervistën për “Panorama” sqaron etapat që do të ndiqet pas projektligjit të miratuar nga qeveria dhe që pritet të votohet në Parlament.
Zoti Çefa, qeveria me vendimin e dy ditëve më parë i hapi rrugë shqyrtimit të 8 mijë kërkesave të bllokuara nga shqyrtimi prej AKKP-së për shkak të djegies së afatit. Si do të veprohet më pas?
Qeveria ka miratuar një projektligj ku i propozon Parlamentit ndryshimin e ligjit 9235 “Për kthimin e kompensimin e pronave”. E reja kryesore, esenciale në këtë nismë është shtyrja e afatit të trajtimit të kërkesave gjendje për AKKP-të. Pra në të gjitha zonat tona rajonale, shumë e cila shkon në rreth 8 mijë kërkesa për të cilat nuk është marrë akoma një vendim. Qarqet më kryesore që kanë ankesat më të mëdha janë Shkodra, Fieri, Durrësi dhe Vlora me nga mbi një mijë secila prej tyre. Pra, kërkesat më të mëdha janë përcaktuar në këto qarqe. AKKP-ja, menjëherë sapo ligji të hyjë në fuqi, nëse nuk pëson ndryshime nga komisioni i Ligjeve në Kuvend, do të fillojë menjëherë hapjen dhe trajtimin e të gjitha këtyre dosjeve. Sipas projektligjit, afati tashmë i ndryshuar është deri në 31 dhjetor 2011. Në nenin 24 aktual, në fuqi ky afat ishte parashikuar në 30 qershor 2008.
Ka disa ankesa nga ana e shoqatave të pronarëve, të cilët kërkojnë që afati i paraqitjes së kërkesave të mos mbyllet por të jetë deri në 2014?
Jam vënë në dijeni të kërkesës dhe pretendimet e ish-pronarëve. Çështja është se ky proces duhet të ketë një fund. Nëse i rrimë këtyre kërkesave strikte i bie që procesi i trajtimit të pronës të mos përfundojë ndonjëherë. Siç dihet përfundimi i këtij procesi është edhe një kërkesat e Bashkimit Evropian. Për këtë arsye e ka parë të arsyeshme me shumë të drejtë për mendimin tim, që tashmë duke qenë se afati i pranimit të kërkesave të reja fillestare ka përfunduar në fund të vitit 2008, ky afat të mos shtyhet dhe të përfundohet procesi. Praktikisht ai subjekt që ka qenë i interesuar për pronën e vet ka pasur kohë mëse të mjaftueshme nga 1993-2008 që të depozitojë një kërkesë me dokumentacionin. Ato subjekte që për një arsye apo për një tjetër kujtohen momentalisht sot kanë prapë një arsye ligjore, e cila është rivendosje në afat nëpërmjet gjykatës, duke justifikuar në mënyrë të ligjshme mosinteresimin e tyre për këtë periudhë disavjeçare për trajtimin e pronës. Unë mendoj se projektligji i miratuar absolutisht ka vendosur përcaktim dhe procedurë krejtësisht transparente në funksion të interesit kombëtar. Pra, procesi i njohjes së pronave duhet të ketë një fund dhe ky fund është përcaktuar dhjetori i vitit 2011.
A është një afat i mjaftueshëm kohor që të kërkesa voluminoze të miratohet brenda 2011?
Mbase është pak herët që t’i përgjigjem konkretisht kësaj pyetje, pasi duhen parë rast pas rasti dosjet dhe çfarë dokumentacioni është paraqitur për të drejtën e pronësisë. Sipas informacioneve paraprake që unë kam, shumë nga këto kërkesa, një përqindje shumë e madhe të tyre janë vetëm një copë letër dhe njerëzit me idenë në atë kohë të kapjes së afatit kanë depozituar thjesht një kërkesë. Sigurisht se këto lloj kërkesash nuk mund të marrin një vendim pozitiv nëse nuk plotësohen me të gjithë dokumentacionin ligjor vërtetues të dokumentit të pronësisë. Për këtë arsye them se është akoma herët për të përcaktuar faktin nëse ky afat do të jetë i mjaftueshëm. Sigurisht sugjerimi i Këshillit të Ministrave për të bërë këtë propozim të ndërhyrjes në ligjin aktual ka qenë iniciuar nga AKKP-ja, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë që është institucioni i varësisë nga pikëpamja teknike. Problemi është që ne e gjykojmë se është mëse e mjaftueshme, duke pasur parasysh këtë fakt se një përqindje e lartë e kërkesave nuk kanë dokumentacionin dhe detyrimisht nuk do të ketë investim shumë të madh në trajtimin e këtyre kërkesave.
Po për sa i përket çështjes së kompensimit financiar. Ka pasur një shtyrje të afatit për shpërndarjen e tyre, pasi ka një rritje të fondit. Sa është ky fond dhe pritet të përfitojnë?
Po, është e vërtetë që është shtyrë afati i shpërndarjes së fondit të kompensimit financiar. Fondi i parashikuar për vitin 2009 i vënë në dispozicion të AKKP-së nga qeveria ishte 600 milionë lekë. Ne punuam intensivisht dhe më 15 tetor ne ishim gati të shpallnim fituesit për këtë fond. Pas disa kontakteve që patëm me ministrin e Financave dhe Kryeministrin u vendos rritja e këtij fondi dhe ekzaktësisht dyfishimi i këtij fondi. Kjo ka bërë që meqenëse AKKP-ja kishte bërë përllogaritjet e fituesve mbi bazën e fondit të vogël, tashmë fondi i ri kërkon pak më tepër kohë për punimin edhe të kërkesave të aplikimit të subjekteve të tjera dhe për këtë arsye ne e shtymë edhe për 30 ditë një afat të tillë. Fondi për kompensimin është mbi 1.2 miliardë lekë. Momentalisht nuk mund ta them një numër përfituesish. Në përpunimet paraprake ne kemi konstatuar shumë mangësi, shumë subjekte aplikues janë skualifikuar sepse kanë mangësi në dokumentacionin e tyre, kanë mospërputhje hartografike ndërmjet vendimeve, ndërmjet diapozitivit të vendimit të tyre dhe hartës bashkëngjitur. Janë skualifikuar sepse kanë shumë subjekte se kanë pasur kthime pronash, apo subjekte që kanë përfituar nga ligji 7501 apo nga e drejta e parablerjes. Ne shpresojmë që nga 501 aplikime të nxjerrim sa më shumë fitues, kjo nuk varet nga ne, por nga pozicioni gjeografik i vendndodhjes së pronës, subjekt i kompensimit. Për arsye nëse vlera është e lartë numri i fituesve do të jetë i ulët, nëse vlera do të jetë e ulët, numri i përfituesve mund të jetë më i madh. Fituesit shpallen më 15 nëntor.

Kastrati: Zyra rajonale mbyllet në fund të vitit
Deri në fund të këtij viti zyrat rajonale të AKKP-së do të shkrihen. Këtë pohim është bërë nga kreu lokal i kësaj agjencie në Shkodër, Besnik Kastrati. Sipas tij, në zyrën rajonale të Shkodrës janë rreth 1000 aplikime të reja që presin të shqyrtohen. Me shkrirjen e zyrave rajonale, do të shkurtohen disa hallka burokratike, por nuk e dihet se si është menduar të veprohet me marrjen e informacionit të qytetarëve apo dhe me ankesat e tyre, të cilët do të vrapojnë nga i gjithë territori i Shqipërisë për në Tiranë, në zyrat qendrore të AKKP-së. “Qeveria, duke i nisur nga fakti që procesi i kthimit dhe i kompensimit të pronave ka pasur mjaft zvarritje nëpërmjet hallkave administrative, ka menduar që të përqendrojë atë në qendër në Tiranë, duke shkurtuar kështu kohën e shqyrtimit të tyre. Dosjet që janë në gjendje do të realizohen vetëm në Tiranë”, shprehet Kastrati. Ndër favoret e kësaj iniciative Kastrati përmend faktin se tashmë dosjet do të shqyrtohen në Tiranë, duke eliminuar shqyrtimin e dosjeve të qytetarëve në zyrat rajonale e më pas në atë qendroren në Tiranë deri në marrjen e përgjigjes së vendimit përfundimtar, siç bëhej deri tani.                     r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›