E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta takon zv.kryeministrin kinez: Investoni në Shqipëri

 

Zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, takoi dje homologun e tij kinez, Zhang Dejiang, i cili erdhi në Shqipëri me rastin e 60-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve mes dy shteteve. Gjatë takimit mes dy delegacioneve u vlerësua niveli i shkëlqyer i bashkëpunimit politik dhe u theksua nevoja e zgjerimit të mëtejshëm të shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike. Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Jashtme, Meta shtroi nevojën e konkretizimit të marrëveshjeve të nënshkruara më parë mes dy qeverive në fushat e arsimit, shëndetësisë, kulturës dhe çështjeve të brendshme dhe nënvizoi nevojën e plotësimit të mëtejshëm të kuadrit të bashkëpunimit me nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe në fushën e drejtësisë dhe financës. Nga ana e tij zv.kryeministri Dejiang shprehu gatishmërinë e Qeverisë kineze për inkurajimin e ardhjes së investitorëve kinezë në Shqipëri, si dhe rikonfirmoi vullnetin për të intensifikuar bashkëpunimin me Shqipërinë në fushat e teknologjisë së informacionit, industrisë minerare, energjetikës dhe infrastrukturës. Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp në përfundim të takimit, zv.kryeministri Ilir Meta tha se “prioritet i veçantë mes marrëdhënieve të të dy vendeve, është bashkëpunimi ekonomik. Eshtë kënaqësi e veçantë të konstatoj që Republika Popullore e Kinës është sot një ndër partnerët kryesorë tregtar të Shqipërisë dhe se eksportet shqiptare në drejtim të tregjeve kineze janë rritur ndjeshëm. Zv.kryeministri i Kinës më siguroi për vullnetin e qeverisë së tij për të ftuar kompanitë kineze për të investuar në Shqipëri në fushat e energjisë, infrastrukturës, shfrytëzimit të pasurive natyrore, etj”. Kreu i diplomacisë konfirmoi qëndrimin e Tiranës zyrtare për njohjen e një Kine të vetme, Republikën Popullore të Kinës. Ndërsa homologu kinez tha gjatë daljes para mediave se “kjo është hera e parë për mua që vizitoj Shqipërinë dhe më ka bërë shumë përshtypje mikpritja e popullit shqiptar, ndjenja e sinqeritetit të tij ndaj atij kinez. Mes dy vendeve tona ekziston një miqësi tradicionale dhe shumë e thellë. Edhe 60 viteve të kaluara, me përpjekje të përbashkëta nga të dyja palët, marrëdhëniet kino-shqiptare kaluan kohërat e ndryshimeve të situatave ndërkombëtare dhe ecën përpara bashkë. Kaluan dhe bashkëpunimet shumë të frytshme, të cilat thellohen dita ditës në të gjitha fushat”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›