E Shtunë, 31 Tetor 2026

Testimi i sistemit bankar ne vend

Stres -testet e kryera nga BSH kanë konfirmuar edhe njëherë se sistemi bankar në vend është në gjendje tu rezistojë mirë goditjeve të forta makroekonomike. Prova ndaj bankave është bërë duke u bazuar në dy skenarët më të këqinj për ecurinë e ekonomisë së vendit. Banka e Shqipërisë evidenton në raportin më të fundit të Stabilitetit Financiar se treguesit makroekonomikë dhe financiarë të ekonomisë rrezikojnë të përkeqësohen vetëm në rastin e skenarit që i referohet goditjes nga shtrëngimi i mëtejshëm i kreditimit dhe nënvlerësimi i lekut.
Për vitet 2012 dhe 2013, stres-testi është ndërtuar në një skenar bazë në vlera të rritjes ekonomike, rritjes së kredisë, rritjes së normave të interesit dhe ecurisë së kursit të këmbimit. Sipas këtij skenari, sistemi bankar shqiptar nuk do të kete pasoja serioze, me përjashtim të ndonjë banke të veçantë që mund të ketë nevojë për shtim kapitali, duke filluar nga viti i ardhshëm.
Ndërkohë, ekspertët e Bankës së Shqipërisë kanë hipotizuar edhe dy skenarë të rënduar, njëri nga krahu i kursit të këmbimit dhe tjetri i shprehur me rritje të ulët të kredisë, shoqëruar edhe normë më të ulët të rritjes ekonomike. Pikërisht ky skenar i dytë i supozuar me një ulje të kredisë do të jepte edhe ndikimin më negativ në portofolin e kredive me probleme. Skenari në fjalë sjell në vëmendje se objektivi më i rëndësishëm për sistemin bankar në vend është pikërisht rritja e kreditimit. Në këtë mënyrë bankat jo vetëm do të jepnin kontribut për ruajtjen e gjallërisë së ekonomisë, por edhe do të mbronin veten nga pakësimi i të ardhurave dhe nga rritja e peshës specifike të kredive të këqija.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›