Presidenti i Egjiptit Morsi deklaron se do te jepte jeten per demokracine ne vend
Presidenti egjiptian nuk heq dorë. Mohamed Morsi është më i vendosur se kurrë për të qëndruar në postin e tij edhe nëse do ti duhej ta paguante me jetë. Këtë e ka konfirmuar gjatë një deklarate të gjatë në televizion ku ka mbrojtur dhe procesin e tranzicionit.
“Tashmë kemi pika referimi. Një ligjshmëri dhe një lider që ka dalë nga kutitë e votimit, si dhe një kushtetutë që është votuar nga populli. E vetmja mënyrë për të evituar luftën civile është respektimi i këtij legjitimiteti”, u shpreh ai.
Morsi nga ana tjetër ka hedhur dhe mundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme pas gjashtë muajsh. Por për ti organizuar fillimisht duhet të krijohet një ekzekutiv i bashkimit kombëtar që do të amendojë kushtetutën.
Atmosfera në Egjipt mbetet më e trazuar se kurrë. Përplasjet e dhunshme mes kundërshtarëve dhe mbështetësve të Morsit kanë shkaktuar 16 viktima dhe të paktën 200 të plagosur.
Ushtria e cila pretendon dorëheqjen e Morsit ka kujtuar se ultimatumi skadon në pasditen e sotme dhe është shprehur i gatshëm të derdhë gjak për të mbrojtur egjiptianët nga radikalët.