Presidenti i Koresë së Jugut i gatshëm për takim me Kim Jong Ilin
Presidenti i Koresë së Jugut ka theksuar se është i gatshëm që këtë vit të takohet me udhëheqësin e Koresë së Veriut, për të diskutuar për programin e armëve bërthamore të Phenianit, përkundër tendosjeve të fundit në brezin kufitar mes dy vendeve.
Presidenti Lee Myun Bak i bëri këto komente sot, pasi që Koreja e Veriut shkrepi për të tretën ditë me radhë predha të artilerisë, në kuadër të manovrave ushtarake që po zhvillon në afërsi të kufirit të kontestuar detar me Jugun.
Dy paraardhësit liberal të Leesë kanë zhvilluar biseda me Kim Jong Ilin në vitet 2000 dhe 2007. Megjithatë, Lee ka pasur një qasje më të ashpër ndaj Phenianit, që nga ngritja e tij në pushtet në vitin 2008, gjë që ka rezultuar me përkeqësimin e marrëdhënieve bilaterale, por ai disa herë ka lënë të kuptojë se është i gatshëm që të takohet me Kimin.
“Unë jam gjithmonë i gatshëm që të takohem me udhëheqësin Kim Jong Il. Nuk ka asnjë arsye që mos të takohem me të brenda këtij viti, nëse një takim i tillë promovon paqen në Gadishullin e Koresë dhe nëse i kontribuon çarmatosjes bërthamore të Koresë së Veriut”, tha Lee.