E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i Kosovës Sejdiu uron Kryeministrin Berisha për fitoren në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare

Kryeministri Berisha ka marrë një telegram urimi nga Presidenti i Kosovës, zoti Fatmir Sejdiu, për fitoren në zgjedhjet e  28 qershorit.

Në telegram Presidenti Sejdiu shprehet:

“I dashur Kryeministër Berisha,

Në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, Ju përgëzoj për fitoren e 28 qershorit në të cilën ‘Koalicioni për Ndryshim’ mori përkrahjen e qytetarëve të Shqipërisë për të qeverisur vendin Tuaj në mandatin e ardhshëm.

Vlerësoj se procesi i zhvilluar zgjedhor u dha votuesëve shqiptarë mundësinë që të përcaktohen të lirë për përfaqësuesit e tyre.

Jam i bindur se Shqipëria e qeverisur nga koalicioni i ndërtuar mbi vlera të demokracisë dhe të zhvillimit do të vazhdojë me hapa të vendosur që kombi dhe shteti shqiptar të bëhet pjesë e familjes së gjerë evropiane duke marrë kështu detyrimet dhe përgjegjësitë që i takojnë. Besoj se Shqipëria, pas antarësimit në NATO, në një kohë fare të shkurtër do të përmbushë kriteret për tu bërë anëtare e Bashkimit Evropian duke realizuar kështu një nga dëshirat dhe ëndrrat më të mëdha të kombit shqiptar.

Ju siguroj me këtë rast se si President i Republikës së Kosovës do të punoj ngushtë së bashku me Ju për të thelluar bashkëpunimin në interes të dy vendeve tona si dhe gjithë rajonit.

Duke Ju përgëzuar edhe njëherë, Ju dëshiroj fat dhe sukses në punën Tuaj për të mirën e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.

Sinqerisht
Fatmir Sejdiu
President i Republikës së Kosovës”


08/07/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›