E Diel, 1 Nëntor 2026

V E N D I M PËR PËRBALLIMIN E SHPENZIMEVE TË PUNONJËSVE SHQIPTARË, QË SHËRBEJNË SI OFICERË KONTAKTI PRANË MINISTRIVE TË BRENDSHME TË SHTETEVE TË NDRYSHME, TË ATASHUAR NË PËRFAQËSITË DIPLOMATIKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË &n

V E N D I M 

PËR 

PËRBALLIMIN E SHPENZIMEVE TË PUNONJËSVE SHQIPTARË, QË SHËRBEJNË SI OFICERË KONTAKTI PRANË MINISTRIVE TË BRENDSHME TË SHTETEVE TË NDRYSHME, TË ATASHUAR NË PËRFAQËSITË DIPLOMATIKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 47, të ligjit nr.9749,     datë 4.6.2007, “Për Policinë e Shtetit”, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

1. Ministria e Brendshme, brenda fondeve buxhetore vjetore, të miratuara për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të përballojë shpenzimet e punonjësve shqiptarë, që shërbejnë si oficerë kontakti pranë Ministrive të Brendshme të shteteve të ndryshme, të atashuar në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë, për shpenzime:

a)     publicitare, në interes të Policisë së Shtetit;

b)     për udhëtime dhe dieta jashtë vendit pritës, kur këto kryhen në interes të Policisë së Shtetit;

c)     për pritjen e partnerëve zyrtarë, në vendin e punës;

ç)  për ceremonitë zyrtare, të karakterit policor, në vendin pritës;

d)  për pritje të personelit policor, të nivelit të lartë;

  dh)  për udhëtime dhe dieta, brenda vendit pritës;

           e) për mbështetjen e veprimtarive, veçanërisht të rëndësishme, të  studentëve të policisë shqiptare, në vendet përkatëse;

          ë)  për uniformën;

           f) për qiranë e apartamentit, mirëmbajtjen e tij, për ngrohje, gaz, energji elektrike dhe ujë;

   g)  për pajisje shtëpiake;

  gj)  për siguracion, mirëmbajtje dhe parkim automjeti;

h)     për karburant;

i)      për siguracion shëndetësor familjar;

j)      për taksa të shkollave publike, komisione bankare;

k)     për telefoninë fikse dhe të lëvizshme;

l)      për zyrë dhe kancelari.

Për shpenzime, që janë të përshtatshme të kryhen në vendin pritës, oficeri i kontaktit dërgon ofertat në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, e cila përzgjedh dhe miraton ofertën më të përshtatshme, në përputhje me rregullat e përcaktuara në ligjin e prokurimit publik, të ndryshuar.

2.           Kur oficeri i kontaktit dërgohet me shërbim jashtë shtetit pritës ose kur vjen në atdhe, ndërkohë që në shtetin ku kryen detyrën ka lënë bashkëshorten dhe fëmijët, merr 100 për qind të trajtimit financiar, të dhënë për përkujdesje ndaj familjes së tij.

3.             Kur oficeri i kontaktit shtrohet për kurim në institucionet shëndetësore të shtetit, ku kryen detyrën, ose në ndonjë shtet tjetër, ai vazhdon ta përfitojë pagesën përkatëse dhe trajtimin financiar, të dhënë për përkujdesjen ndaj familjes së tij.

4.             Oficeri i kontaktit gëzon të drejtën e pushimeve javore, të pushimeve në ditët e festave zyrtare dhe pushimit vjetor të paguar, për kohën që është me detyrë jashtë shtetit, sipas dispozitave ligjore në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ministria e Brendshme nuk merr përsipër shpenzimet e kthimit në atdhe të oficerit për kryerjen e lejes së zakonshme. Me miratimin e ministrit të Brendshëm, vetëm në rast fatkeqësie, oficerit të kontaktit dhe familjarëve shoqërues, u paguhen nga shteti shpenzimet e udhëtimit (për ardhjen në atdhe dhe kthimin në vendin e huaj).

5.             Ministria e Brendshme, për oficerët e kontaktit dhe pjesëtarët e familjes, që janë në ngarkim të tyre, përballon sigurimet e detyrueshme, sipas legjislacionit të shtetit përkatës, ku ata kryejnë detyrën. Oficeri i kontaktit dhe pjesëtarët e familjes, në ngarkim të tij, kanë të drejtë, që, me miratimin e eprorit direkt dhe sipas rregullave të Policisë së Shtetit, për raste urgjencash, të mjekohen në vendin, ku oficeri kryen detyrën, kur, për këtë rast, nuk është parashikuar sigurimi shëndetësor. Shepnzimet përballohen nga shteti, ndërsa për rastet e tjera përballohen nga vetë oficeri i kontaktit.

6.             Oficeri i kontaktit ka të drejtë të përfitojë shpenzime udhëtimi, akomodimi dhe dietë, në valutë të huaj, sipas legjislacionit në fuqi, kur emërohet në detyrë, thirret në atdhe ose dërgohet me shërbim në një shtet tjetër, si dhe kur kthehet në atdhe, në përfundim të detyrës.

7.             Ministria e Brendshme, brenda fondeve buxhetore vjetore, të miratuara për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, përballon efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi.

8.             Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2009.

 

K R Y E M I N I S T R I

 

 

SALI  BERISHA


08/07/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›