E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i PE-së, Buzek: Opozita të ndalë bojkotin

Presidenti i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek, në një deklaratë zyrtare për Shqipërinë, vlerësoi tryezën politike mes krerëve politikë në vend, e cila do të zhvillohet sot dhe u shpreh optimist për rezultatin e saj. Buzek deklaroi se opozita duhet të kthehet në Kuvend për të përfaqësuar votuesit e vetë. Ai uroi fat për politikanët shqiptarë dhe u shpreh se PE-ja pret lajme të mira për rezultatin e tryezës. “Dëshiroj të inkurajoj të gjithë liderët politikë të Shqipërisë për t'u angazhuar në dialog, në mënyrë që t’i japin fund ngecjes politike, të pushojnë bojkotin e Parlamentit, për të ecur përpara me reformat e nevojshme dhe axhendën e integrimit evropian. U uroj fat të mirë liderëve politikë shqiptarë dhe presim të marrim lajme inkurajuese nesër (sot) nga Tirana”, - tha kreu i Parlamentit Evropian. Më tej, ai shtoi se mirëpret “nismën e Presidentit shqiptar Bamir Topi për të organizuar negociatat në një tryezë të rrumbullakët me krerët e qeverisë dhe opozitës nesër në Tiranë dhe shpresoj që këto bisedime do të çojnë në zgjidhjen me sukses të situatës politike në vend, si pasojë e zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009”. Në rezolutën e 26 nëntorit 2009, Parlamenti Evropian i bëri thirrje opozitës për të mos bojkotuar Parlamentin, në mënyrë që opozita të kryejë detyrën e saj për të përfaqësuar votuesit në Kuvend. Parlamenti Evropian gjithashtu i bëri thirrje qeverisë dhe opozitës për të gjetur një gjuhë të përbashkët për plotësimin e standardeve të mbetura nga zgjedhjeve të fundit. Sipas njoftimit zyrtar nga PE, “zgjedhjet e qershorit janë monitoruar dhe vlerësuar nga komuniteti ndërkombëtar (OSBE/ODIHR) si zgjedhje që kanë përmbushur shumicën e standardeve më të OSBE-së”.

Albertini: Hapja e kutive, nuk duhet pranuar kërkesa e PS-së

Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Evropian, Gabriele Albertini, deklaroi dje se kërkesa e Partisë Socialiste për të hapur kutitë e votimit nuk duhet të pranohet. “Kërkesa e Partisë Socialiste shqiptare për të rihapur kutitë e votimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit nuk mund dhe nuk duhet të pranohet. Parlamenti Evropian ka shprehur tashmë qëndrimin e tij në dokumentin e strategjisë për zgjerimin 2009 nga Komisioni, i cili u votua në seancën plenare të 26 nëntorit të vitit të kaluar, nga të cilat unë kam qenë raportues. Në veçanti, Parlamenti Evropian njeh progresin e bërë nga Shqipëria që nga raporti i fundit mbi raport-progresin e Shqipërisë. Kërkon nga opozita që t'i japë fund bojkotit të Parlamentit dhe e fton atë të kryejë detyrimet e saj në Parlament, duke përfaqësuar zgjedhësit që e kanë votuar. I bën thirrje qeverisë dhe opozitës për të gjetur një dialog të përbashkët”, - tha Albertini. Më tej ai tha se “kërkesat e opozitës për hapjen e kutive nuk mund të konsiderohen, për shkak të mungesës totale së provave, të hedhura poshtë nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) dhe Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit të Tiranës (vendimi nr. 08, dt. 22.07.2009), organi i vetëm kompetent në çështje”. “Është e dobishme t’i kujtojmë z. Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste Shqiptare, që bojkoti i punimeve të Parlamentit dhe kundërshtimi i vullnetit të popullit nuk përbën asnjë avantazh. Unë shpresoj që Parlamenti shqiptar të kthehet shpejt në funksionimin e tij normal dhe që nuk jam në asnjë mënyrë të pengoj aspiratat e Shqipërisë për anëtarësimin në BE”, - përfundoi deklaratën e tij kreu i Komitetit të Punëve të Jashtme në PE, Gabriele Albertini.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›