E Diel, 1 Nëntor 2026

BojkotiBerlusconi-Berisha: Opozita të kthehet në Parlament

Kryeministri italian Silvio Berlusconi kundërshton bojkotin e socialistëve shqiptarë ndaj Parlamentit dhe u kërkon atyre rikthimin e shpejtë në këtë institucion. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij shqiptar, Sali Berisha, i cili zhvilloi një vizitë dyditore në Romë, Presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë i bëri apel Partisë Socialiste të respektojë institucionet, pasi në demokraci, i vlefshëm është vetëm dialogu brenda institucioneve. Mes dy kryeministrave u fol për situatën politike, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek bojkoti i PS-së ndaj Kuvendit. “Sinqerisht ju them se kam pasur rastin që të flas në Parlamentin shqiptar, në momentin e një kontrasti shumë të madh kur socialistët ishin në pushtet dhe Berisha në opozitë. Unë jam i mendimit se Parlamenti nuk duhet të bojkotohet, pavarësisht kontestimeve që mund të kesh. Opozita duhet ta luajë rolin e saj brenda institucioneve. I bëj apel të sinqertë opozitës shqiptare të shkojë në Parlament. S'mund të ketë demokraci të vlefshme nëse s'ka dialog parlamentar", - deklaroi z. Berlusconi. Ai shtoi më tej: “Ia thashë edhe mikut tim Sali, duke pasur parasysh edhe përvojën time, se unë jam një demokrat liberal. Ai më ftoi që unë të vij të flas në Parlamentin shqiptar dhe unë jam i gatshëm që të vij dhe të flas. Pra, duhet të synojmë respektin e palëve me njëra-tjetrën. Edhe demokracia duhet të jetë aktive. Duhet të ketë dialog midis dy palëve, sepse përndryshe nuk legjitimohen. Këto ishin temat që u diskutuan nga biseda që patëm bashkë”.
Berisha: Jam njeri i lëshimeve dhe i kompromiseve
Që nga Roma dhe vetëm pak orë para takimit me kreun e PS-së, Edi Rama, në selinë e Presidencës, Kryeministri Sali Berisha siguroi se do të bëjë gjithçka për të arritur kompromisin që do të nxjerrë vendin nga situata kaotike ku e ka futur PS-ja. Berisha shprehu gatishmërinë e tij për të zgjidhur ngërçin politik të krijuar nga bojkoti opozitar i Parlamentit. “Do të bëj gjithçka që është e mundur në mënyrë që të arrijmë në një zgjidhje. Do të bëj më të mirën e mundshme, jam njeri i kompromiseve dhe i lëshimeve, në mënyrë që t’i japim fund kësaj situate”, - u shpreh Berisha. Ai zbardhi bisedën me homologun e tij italian, Slvio Berlusconi, të cilit i ka bërë të njohur situatën bojkotuese të opozitës. "Folëm me Berlusconin për situatën e çuditshme që ekziston. Kemi një opozitë që pranon rezultatin e zgjedhjeve, por nuk hynë në Parlament. Monitoruesit ndërkombëtarë janë shprehur të gjithë se nuk kanë hasur në prova që të tregojnë se ka pasur problem me numërimin e votës popullore, ndërsa kanë pranuar se zgjedhjet e qershorit kanë qenë zgjedhjet më të mira dhe me standardet më të mira të zhvilluara ndonjëherë. Pavarësisht kësaj situate, unë premtoj se do të punoj me durim", - u shpreh z. Berisha.
Berlusconi: Në tetor, Shqipëria kandidate për në BE
Italia do të japë të gjithë mbështetjen e saj ndaj Shqipërisë, me qëllim që në muajin tetor të këtij viti të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Kryeministri Sali Berisha mori dje garancitë e Italisë për mbështetjen në procesin e heqjes së vizave dhe integrimin e plotë në BE. Kryeministri Sali Berisha u shpreh se ka marrë garancitë e Italisë për liberalizmin e vizave, procesin e integrimit në BE dhe shtimin e investimeve mes dy vendeve. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp mes dy kryeministrave, Berlusconi vlerësoi se qeveria ka bërë një punë serioze të nevojshme për të integruar vendin në Bashkimin Evropian dhe për të miratuar liberalizimin e vizave. "Diskutuam për vizat dhe për statusin e kandidatit të Bashkimit Evropian. Do të mbështesim liberalizimin e vizave dhe statusin e kandidatit për Shqipërinë", - theksoi Berlusconi. Kurse Kryeministri Berisha njoftoi: “Italia i ka dhënë dhe do të japë një ndihmë të madhe. Problemi i vizave është një problem shumë i rëndësishëm. Prej shumë vitesh shqiptarët ëndërrojnë të lëvizin në BE. Berlusconi me siguroi se ai vetë, ministri Frattini dhe gjithë qeveria italiane do të bëjnë gjithçka që ky proces të vijë sa më shpejt”. Z. Berisha theksoi më tej se Shqipëria është një vend që po kapërcen të gjitha pengesat për investitorët italianë. “I kërkova Kryeministrit Berlusconi dërgimin e mesazheve të qarta për investitorët italianë në Shqipëri”. Ai ftoi Kryeministrin Berlusconi për një vizitë në Shqipëri dhe ka shprehur bindjen se Italia është partner strategjik i Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›