E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Gati ta përballojmë këtë sëmundje

24/07/2009  Gripi i derrave

Qeveria shqiptare është tërësisht e aftë dhe e përgatitur të përballojë gripin e derrave, sëmundjen që po përhapet shumë shpejt në të gjithë botën. Kryeministri ka siguruar dje se janë absolutisht të gjitha kapacitetet e nevojshme për ta përballuar me sukses të plotë, qoftë në shtretër, qoftë në specialistë, qoftë me ‘Tamiflu’ apo vaksina. “Jemi plotësisht të përgatitur. Nuk ka asgjë për t’u dramatizuar. Ne kemi kapacitete ekzistuese, mund të përshtatim me shpejtësi kapacitete shumë herë më të mëdha sesa ato ekzistuese, pasi e vërteta është se ato ekzistojnë, kemi personelin mjekësor të kualifikuar”, - ka deklaruar ai në një konferencë për shtyp, organizuar posaçërisht për të treguar masat që po merr qeveria. Kreu i qeverisë pohoi se përhapja e virusit është më e shpejta se e të gjitha formave të njohura deri më sot, por jo agresiviteti dhe jo virulenca e tij. Ai tha se të gjitha të dhënat epidemiologjike që kanë të bëjnë me përhapjen, faktojnë se përhapja e këtij gripi është forma më e shpejtë se e të gjitha formave të tjera pararendëse. “Por faktojnë gjithashtu se shumica dërrmuese e rasteve janë forma të zbutura, janë joagresive, ndonëse në raste të veçanta nuk përjashtohen edhe rastet me një agresivitet më të madh. Në disa laboratorë po bëhen përpjeke të mëdha për prodhimin e vaksinës. Provat e para të saj janë bërë ditë më parë në Australi. Por për përdorim masiv besohet se do të jenë të gatshme në shtator”, - tha ai. Berisha tha se qeveria disponon mijëra doza “Tamiflu”, ilaçe që presupozojnë të kenë efekte pozitive mbi virusin dhe natyrisht qeveria është e gatshme të importojë të gjithë sasinë e nevojshme me stabilizues për të kuruar të sëmurët me këtë formë gripi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›