E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherifi: Të largohet Rama

24/07/2009  Thirrjet për largimin e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama nga ky post sa vijnë e shtohen çdo ditë. Kështu, listës së emrave që kanë kërkuar deri tani largimin e Ramës iu shtua dje edhe ish-deputeti socialist Elmaz Sherifi. Gjatë një prononcimi për shtyp Sherifi kërkoi nga kreu socialist të respektojë statutin e PS-së. “Edi Rama duhet të respektojë statutin, i cili e saktëson mjaft qartë pozicionin e kreut të partisë në rast humbjeje në zgjedhjet parlamentare”, - u shpreh Sherifi lidhur me këtë çështje. Ndërkohë sipas tij është po ky statut që nuk i jep të drejtën kryetarit të dorëhequr që të rikandidojë sërish për këtë post. Kjo pasi në gjykimin e tij, nëse dorëheqja erdhi si pasojë e humbjes, atëherë me ç’moral do të zgjidhet sërish, duke çuar sërish në humbje partinë? “Ramën e mundi ‘plaku i fundit’ i politikës së vjetër. PS-ja i humbi zgjedhjet pas katër vjet në opozitë e drejtuar nga formuluesi dhe drejtuesi i ‘politikës së re’. Diferenca në vota midis bllokut të majtë dhe atij të djathtë në raport me zgjedhjet e vitit 2005 është ngushtuar shumë. Kjo është humbje e trefishtë, që trishton çdo njeri që ka kontribuar për fitoren e së majtës. Socialistët dhe strukturat drejtuese duhet të reagojnë. ‘Politika e re’ e zotit Rama dështoi, misioni i tij mbaroi”, - tha Sherifi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›