E Diel, 1 Nëntor 2026

Konflikt mes të djathtëve në zonën e Berishës, akuza për korrupsion

Hetimet mbi tenderët e Bashkisë së Kavajës kanë krijuar një konflikt të hapur mes bashkisë dhe këshillit bashkiak të qytetit që ka për deputet Kryeministrin Sali Berisha. Kryetari i Parlamentit lokal denoncon "klanin Shamata-Rrugia" që ka krijuar monopol mbi tenderët bashkiakë, duke mbajtur peng Kavajën dhe zhvillimin e saj. Kryekëshilltari kavajas deklaroi se konflikti që është acaruar së tepërmi ditët e fundit, në prag të mbledhjes së radhës të këshillit, erdhi pas kërkesës për ngritjen e një komisioni hetimor për Drejtorinë e Urbanistikës në bashki. Aqif Haveriku, kryetar i këshillit bashkiak, ka denoncuar dje në një konferencë për shtyp përpjekjet e kryebashkiakut të Kavajës dhe klaneve të tij për të shmangur pengesat antikorrupsion ndaj veprimeve me natyrë mafioze që rëndojnë mbi qytetin dhe biznesmenët e tij. Ditët e fundit, sipas Haverikut, ndaj një pjese të këshilltarëve bashkiakë po ushtrohet presion për t‘u bërë firmëtarë të kërkesës për një mocion mosbesimi ndaj kryekëshilltarit. Ngritja e komisionit hetimor për veprimtarinë e Drejtorisë së Urbanistikës në bashki u kërkua nga grupi i këshilltarëve të Partisë Republikane dhe u miratua me shumicë në këshill, ndërsa raporti i drejtorit të urbanistikës mori reagime të shumta, kritika, madje edhe nga këshilltarët demokratë. Sipas Haverikut, kjo situatë kritike rëndoi mbi kryebashkiakun e Kavajës Refik Rrugia dhe bashkëpunëtorët e tij. Ai akuzoi si pjesë të kësaj loje dhe deputetin e PD-së dhe njëkohësisht kryetarin e degës lokale të kësaj partie Engjëll Carën, i cili "është bërë nismëtar për sigurimin e firmave kundër Haverikut duke përdorur ndaj këshilltarëve shantazhin, kërcënimet si dhe ofertat". Në konferencë, Haveriku denoncoi klanin "Shamata-Rrugia", i cili u ka mbyllur dyert firmave vendase, duke i çuar ato drejt falimentimit të detyruar ndonëse zotërojnë të gjitha standardet dhe ofertat e kërkuara. Zv/ministri i Arsimit Halit Shamata dhe kryebashkiaku i Kavajës konsiderohen nga denoncuesi publik i tyre si beniaminë të ish-bllokmenëve të dikurshëm që nuk kanë lidhje me partinë në të cilën aderojnë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›