E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria mbështet anëtarësimin e plotë të Maqedonisë në NATO

21-01-2012 / Gazeta 55

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, vizitë dy ditore në Shkup


“Shqipëria ka vullnet të plotë për të ndihmuar Maqedoninë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO”. Kështu u shpreh dje ministri i Mbrojtjes, Arben Imami gjatë një takimi të zhvilluar me homologun e tij të Maqedonisë, Fatmir Besimi. “Republika e Shqipërisë e mbështet integrimin e Maqedonisë në NATO pa kushte dhe pa rezerva, i jep një mbështetje të plotë anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë në NATO. Sa më shpejt që Maqedonia të jetë në NATO, aq më shpejt vendet tona dhe vendet e tjera të rajonit, do të jenë jo vetëm në NATO, por edhe në Bashkimin Europian. Perspektivat e paqes, stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit në rajonin tonë do të jenë të garantuara”, u shpreh Imami. Në takimin e zhvilluar në Shkup, ministri Imami është shprehur optimist se shumë shpejt do të zgjidhet edhe problemi i emrit që ka Maqedonia me Greqinë, ndërsa e cilësoi këtë si një çështje tekniko-politike. Ministrat Imami dhe Besimi kanë biseduar edhe për avancim të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, në funksion të shfrytëzimit të kapaciteteve të përbashkëta që posedojnë dy vendet në fushën e Mbrojtjes. “Mendojmë që një fushë e rëndësishme e bashkëpunimit, mund të jetë fusha e kundër-emergjencave. Dua të theksoj se vendet tona janë vende të vogla dhe me buxhete të kufizuara, por edhe vendet e mëdha e kanë të vështirë të përballojnë tërësisht të vetëm emergjencat e krijuara, si ato natyrore ashtu edhe ato teknologjike, apo posibilisht edhe terroriste. Kështu që ne do të ishim të gatshëm që në kuadër të A5, apo në çdo lloj kuadri tjetër të bashkëpunimit rajonal, të krijonim kapacitetet të përbashkëta për t’ju përgjigjur këtyre emergjencave dhe t’i vinim një njësi drejtimi dhe menaxhimi të përbashkët, problemeve të emergjencave në rajonin tonë”, nënvizoi më tej ministri Imami. Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, Besimi, vlerësoi përkrahjen që Shqipëria jep në interes të anëtarësimit të plotë të Maqedonisë në NATO, si dhe falënderoi ministrinë e Mbrojtjes Shqiptare për ndihmën që ajo i jep Forcave të Armatosura Maqedonase në arsimimin e tyre. “Ne kemi pasur gjithnjë përkrahjen e Shqipërisë në rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO. Vlerësojmë maksimalisht rolin tuaj në këtë drejtim e po kështu vlerësojmë se integrimi i vendeve të rajonit në NATO është një investim për një pakt stabile, të qëndrueshëm në rajon dhe një kontribut edhe më tej, drejt paqes në botë. I jemi mirënjohës Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, për përkrahjen që dhanë për edukimin dhe arsimimin e oficerëve nga Republika e Maqedonisë të cilët sot ushtrojnë detyrën e tyre dhe janë pjesë e Armatës së Republikës së Maqedonisë, duke e kryer misionin e tyre denjësisht si dhe duke plotësuar një nga detyrat kryesore për t’u bërë shpejt pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut”, deklaroi ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, Besimi. Në vijim të vizitës së tij në Maqedoni, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Imami, do të takohet edhe me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Musa Xhaferri, ministrin e Jashtëm maqedonase Nikolla Popovski, si dhe me anëtarë të Komisionit për Mbrojtjen dhe Sigurinë. Ministri Imami, ndodhet në Shkup, për një vizitë zyrtare dy ditore me ftesë të homologut të tij, Fatmir Besimi. Në këtë vizitë, ministri Imami, shoqërohet nga zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Sandër Lleshi dhe një delegacioni në përbërje të të cilit janë drejtorë të lartë të kabinetit të tij drejtues. Kjo vizitë e ministrit të Mbrojtjes Shqiptare, është zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit bilateral që ekziston mes dy vendeve tona, si dhe në kuadër të zgjerimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe kryesisht në fushën e mbrojtjes. Gjatë takimit që dy krerët e lartë të mbrojtjes kanë zhvilluar gjatë ditës së sotme, është diskutuar për çështje të rëndësishme që lidhen me sigurinë rajonale, si dhe mbështetjen që Shqipëria ofron për integrimin e plotë të Maqedonisë në strukturat euroatlantike.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›