“Dritan Prifti, limon i shtrydhur i PS-së - organizatorët skenaristët e dhunës së 21 janarit”

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në LSI, Ylli Manjani: Ish-ministri sot është flakur nga regjisori i tij politik, pasi nuk i intereson më
Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi ashpër dje në vijim të denoncimeve të video-përgjimeve të Dritan Priftit dhe bashkëpunëtorëve të tij nga radhët e politikës. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në LSI, Ylli Manjani u shpreh se videoja e publikuar mbrëmë në emisionin “Opinion” është fakti i korrupsionit të denoncuesit të video-përgjimeve.
Duke iu referuar pikërisht kësaj video si dhe vendimit të Gjykatës së Lartë për kreun e LSI-së Ilir Meta, Manjani deklaroi se “gjykata tregoi se video ishte e montuar dhe ishte e skenuar nga Edi Rama”. Madje, duke shkuar më tej, Manjani lëshoi një akuzë të drejtpërdrejtë si për protagonistët e videos ashtu dhe për autorët e saj, të cilët i konsideroi si organizatorët e demonstratës së dhunshme të 21 janarit të kaluar.
Sipas Manjanit, Rama përdori Dritan Priftin, duke e shndërruar këtë të fundit në limon të shtrydhur, për sajimin e videos me qëllim organizimin e revoltës kundër shtetit, ndërsa sot e ka flakur tutje, çka do të thotë se i shtrydhuri nuk i intereson më regjisorit të video-montazhit.
“Një vit më parë shefi i opozitës Shqiptare, pasi sajoi me dashje direkte një të ashtu-quajtur video-përgjim, nxiti turma të dhunshme kundër institucioneve të vendit dhe rendit kushtetues. Gjatë gjithë vitit të shkuar e deri më datë 16 të këtij janari, shqiptarët panë të çmontohen një e nga një të gjitha elementet e skenarit të dhunës nëpërmjet mashtrimit të opinionit publik nga zoti Edi Rama. Pjesë e rëndësishme e këtij skenari dhune u bënë edhe produktet e halucinacioneve (fatkeqësi njerëzore kjo) të ish-ministrit të Ekonomisë sot me detyrën e Limonit të shtrydhur, në partinë e Edi Ramës. Them limon i shtrydhur sepse produktet e tij të halucinacionit tashmë mesa duket nuk i interesojnë më regjisorit të tij politik”, u shpreh Manjani.
Të enjten në mbrëmje, emisioni “Opinion” publikoi një video ku shfaqej ish ministri Dritan Prifti, duke ndarë një shumë të hollash me ish zëvendësin e tij, Leonard Beqiri. Nisur nga ky fakt Ylli Manjani tha se nuk bëhet fjalë për kapje në flagrancë, por për interesa të mëdha korruptive në kurriz të detyrave publike që mbanin.
“Zotërinjtë limonë të shtrydhur, që kapën veten në flagrancë duke ndarë jo thjesht euro të fëlliqura, por interesa korruptive në kurriz të detyrave publike që mbanin dhe që u vunë në dispozicion të dhunës dhe destabiliteti kushtetues, nuk kanë pasur e as kanë mbështetje politike nga LSI. Ata prej kohësh gëzojnë mbështetjen dhe mbrojtjen politike të partisë së zotit Rama (jo partisë së socialistëve shqiptarë). Duam sot të sigurojmë opinionin publik se as streha politike e partisë së zotit Rama e as imuniteti juridik i prokurorisë së Republikës, nuk i shpëton dot ata nga përgjegjësia para ligjit. Këta zotërinj janë pjesë e skenarit të dhunës së 21 Janarit, dhe nëse i shpëtojnë prokurorisë nuk kanë shans t’i shpëtojnë drejtësisë. Për këtë jemi të bindur tashmë në provat që kanë lëne vetë këtë radhë me zë e me figurë. Kam edhe autorizimin e Spartak Braho të kërkoj ndjesë nëse për arsye etike zëri ishte i ulur mbrëmë në atë video të tmerrshme që pamë. LSI denoncon sot, edhe njëherë publikisht se dhuna që buron nga paratë e fëlliqura që vijnë nga pushteti i pamerituar i përfaqësuesve publikë (sot limonë të shtrydhur) është e pa pranueshme dhe madje e dënueshme. Ne nuk kemi punë me fatin politik e personal të askujt që ka probleme me ligjin dhe me drejtësinë”, deklaroi Manjani.
Ndërkohë, e gjykuar në këtë formë nga LSI-ja, Ylli Manjani i bëri thirrje lidershipit socialist që të kërkojë ndjesë publike për ngjarjet e dhunshme të 21 janarit. Referuar protestës homazh që PS do organizojë sot në bulevard, Manjani e cilësoi atë si një tjetër paturpësi të liderit të opozitës, i cili një vit më parë fërkoi duart kur numëroi viktimat e demonstratës së dhunshme.
“Por, si parti politike, kërkojmë që organizatorët e dhunës së 21 Janarit që nxitën përplasjet e dhunshme me forcat e sigurisë në vend, minimalisht tu kërkojnë ndjesë shqiptarëve që i mashtruan dhe i hodhën mish për top, ndërkohë që vetë u fshehën pa burrësisht dhe fërkuan duart kur numëruan viktimat, që ju interesuan paturpësisht. Ndjesa është element njerëzor i domosdoshëm në politikë, pendesa nuk i duhet askujt! E nëse lideri i dhunës vazhdon të përdorë pendesën si mjet komunikimi atëherë zoti i ruajt të gjitha ata që i shkojnë pas këtij njeriu!”, tha më tej ai.
Dy ditë më parë doli në dritën e transparencës për publikun videoja e shumë përfolur e Dritan Priftit. Videoja e rikuperuar shkurtin e kaluar nga eksperti amerikan dhe e publikuar mbrëmjen e së enjtes përforcoi më shumë në sytë e publikut dyshimet për të cilat flet organi i akuzës se Dritan Prifti dhe Leonard Beqiraj kanë abuzuar me funksionet e tyre publike. Në video ata ndajnë mes tyre një shumë parash prej 70 mijë eurosh dhe regjistrimi është bërë dhjetë ditë pas përgjimit të Metës. Ndonëse imuniteti i Ilir Metës u hoq në të njëjtën ditë me atë të Priftit, pas një viti, hetimi u krye vetëm për Ilir Metën dhe Gjykata e Lartë e shpalli të pafajshëm. Dritan Priftit ende nuk i është komunikuar akuza ndërsa Leonard Beqiraj nuk është thirrur as si dëshmitar, çka lë hapur të dyshosh se prokuroria po përdoret politikisht.