Presidenti i klubit të Burrelit godet deputetin demokrat
Deputeti i PD-së në qarkun e Dibrës, Bedri Hoxha ka denoncuar dje në polici se është rrahur dhe fyer nga një patrioti i tij në qytetin e Burrelit. Sipas Hoxhës, presidenti i ekipit të futbollit të Burrelit, Murat Koliqi e ka goditur sepse ai nuk e ka ndihmuar për një vend pune. Pak orë më pas policia ka arrestuar Koliqin në lokalin e tij duke i komunikuar zyrtarisht edhe akuzën e rrahjes dhe fyerjes ndaj deputetit të Partisë Demokratike z. Bedri Hoxha.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Policisë dhe Prokurorisë së Burrelit, ku mësohet se prokurori i çështjes Llazër Çadraku ka urdhëruar arrestimin e Koliqit me dyshimin e kryerjes së veprës penale të goditjes për shkak të detyrës dhe fyerje për shkak të detyrës. Sipas këtyre të dhënave, ngjarja ka ndodhur në Burrel, ku paraditen e djeshme ishte i pranishëm deputeti Hoxha në fillimin e sezonit mësimor. Gjatë kësaj kohe deputeti Hoxha ka takuar shtetasin Koliqi, i cili i ka kërkuar që ta ndihmojë për të punësuar një kushërirën e tij si mësuese. Koliqi i ka kujtuar Hoxhës mbështetjen që i kishte dhënë gjatë fushatës elektorale dhe i ka thënë se tani ishte koha të shpërblehej.
Deputeti Hoxha, i është shprehur se nuk mund të ndihmonte dhe se për këtë çështje duhet të shkonte tek Drejtori i Arsimit në Burrel, i cili mund ta ndihmonte. Por këtë refuzim të deputeti Hoxha presidenti i ekipit të Burrelit, Koliqi nuk e ka pranuar. Ai ka nisur të lëzhojë fjalë fjalë fyese që kanë degjeneruar deri në kontakt fizik. Pas këtij incidenti deputeti Hoxha është drejtuar për në Tiranë, ku në Drejtorin e Përgjithshme të Policisë së shtetit ka kallëzuar penalisht presidentit Koliqi për goditje dhe fyerje për shkak të detyrës. Pas këtij kallëzimi, zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit z.Agron Kulqi ka urdhëruar arrestimin e presidentit Koliqi në Burrel, të cilit edhe i janë vënë prangat.
Këtë arrestim e ka ligjëruar edhe prokurori Llazër Çadraku, i cili pritet të dorëzoi pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Burrel kërkesën për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë. Ndërkohë, më 24 mars 2010 Presidenti i ekipit të futbollit në Burrel, Murat Koliqi, është arrestuar nga policia, pasi goditi vëzhguesin e ndeshjes në Librazhd. Ngjarja ka ndodhur atëherë pas përfundimit të ndeshjes Sopoti Burreli, e cila u mbyll në avantazh 1 me 0 për skuadrën e Librazhdit. Presidenti Koliqi ka goditur vëzhguesin e ndeshjes Sazan Velçani, i cili ka mbetur në vend pa ndjenja për rreth 3 minuta.
SHEKULLI