Presidenti i ri takon pas 4 vjetësh Ramën dhe Metën

Zgjedhja e presidentit të ri të Republikës ka bërë që të takohen dy ish-aleatët Rama dhe Meta. Kreu i PS-së Edi Rama ka qënë i shoqëruar edhe nga kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi ndërda kreu i LSI-së Ilir Meta nga nënkryetarit Petrit Vasili.
Në një prononcim për mediat, Meta e ka cilësuar takimin me Ramën si kontruktiv ndërsa ka kërkuar që ky dialog të vijojë me intensitet nëpërmjet gjithë aktorëve politike. "Ishte një takim kontruktiv dhe ne shpresojmë që ky dialog të vijojë me intensitet nëpërmjet gjithë aktorëve politike. Është e rëndësishme zgjerimi dhe thellimi këtij dialogu midis gjithë aktorëve parlamentare dhe jashtëparlamentarë me qëllim kryesor përmbushjen e disa objektivave të rëndësishme dhe imediate që janë parashtruar në mënyrë koncize edhe nga komisionari Fule e të cilat ne i kemi nënvizuar prej gati tre muajsh si prioritete të domosdoshme për tu përmbushur. Aty është përmbyllja e reformës zgjedhore, përmbyllja e reformës parlamentare, zgjidhja e çështjes së imuniteteve dhe natyrisht që të treja këto elemente shumë të rëndësishme duhen përmbyllur para se të nisin procedurat zyrtare për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Proces ky për të cilin jemi shprehur se duhet të jetë kushtetues dhe konstruktiv pasi është e domosdoshme që reformat e tjera të papërmbushura të krijojnë edhe në të ardhmen në mënyrë që Shqipëria ta marrë me çdo kusht statusin e vendit kandidat brenda këtij viti. Presim një lajm të mirë në këtë drejtim dhe gjithë duhet të përkushtohemi në këtë drejtim. Ishte një takim konstruktiv dhe ne besojmë se ky dialog të vijojë me intensitet mes gjithë aktorëve parlamentarë dhe unë e kam theksuar edhe më parë se është i rëndësishëm edhe një takim mes dy aktorëve kryesorë të forcave kryesore politike”, theksoi Meta.
Nga ana e tij kreu i PS-së Edi Rama ka deklaruar se takimi me Metën bëhet në kuadër të nismës për tu takuar me drejtuesit e palëve dhe për të eksploruar mundësinë e një procesi të dakortuar në funksion të zgjedhjes së presidentit në mënyrë që ai të jetë mishërim i unitetit kombëtar siç e parasshikon Kushtetuta dhe jo noter partiak.
"Kush çuditet nga takimi im i sotëm me Ilir Metën, nesër me Shpëtim Idrizin e më tutje me Sali Berishën u them se kur flasim për dialog do të thotë edhe dialog me kundërshtarët dhe jo monolog me veten ne dhe monolog me veten qeveria. A është e mundur të arrihet kjo? Interesat e vendit thonë po dhe interesat e vendit e kërkojnë. Ne jemi gati të bëjmë gjithçka nga ana jonë ne emër të një kërkese të tillë. Nuk mund të kërkojmë një konsensus të nevojshëm dhe domosdoshëm duke qëndruar në llogoren tonë dhe duke bërë sehir në llogoren e qeverisë. Është koha për të komunikuar me të gjithë dhe të japim gjithçka mundemi që nga ky proces të dalë rezultati i pritshëm në funksion të interesit kombëtar, qytetar dhe padyshim edhe në funksion të një procesi integrimi ku miqtë dhe partnerët janë të pakontestueshëm”, theksoi Rama.