Presidenti ka amnistuar vetëm gra dhe të moshuar
Pas ekstradimit të Ilmir Hajdarit, i cili është dënuar me 16 vjet burg për vrasje, ka reaguar Presidenti i Republikës, Bamir Topi, duke deklaruar se ai nuk e ka amnistuar këtë person. Sipas një sqarimi, Presidenca ka vënë në dijeni se që nga marrja e detyrës, Presidenti Topi e ka ushtruar vetëm dy herë të drejtën e faljes. Më tej shpjegohet se konkretisht ai e ka ushtruar këtë atribut për herë të parë më 7 mars të vitit 2008, ku u amnistuan 31 zonja të dënuara dhe për herë të dytë në prill të vitit 2009, ku u amnistuan 37 të dënuar të tjerë, kryesisht në moshë të thyer. Presidenti i Republikës shpjegoi se në të dyja rastet personat janë falur pas përfundimit të proceseve të tyre gjyqësore dhe pasi vendimi ka marrë formë të prerë. Reagimi i Presidentit ka ardhur pas botimit të një shkrimi në gazetën "Shqip" për ekstradimin e Ilmir Hajdarit, i cili është dënuar nga Gjykata e Lartë me 16 vjet burg. Fillimisht ai ishte dënuar me 9 vjet burg nga Apeli, por më pas Gjykata e Lartë e hodhi poshtë këtë vendim, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër.