E Diel, 1 Nëntor 2026

"Xhindi", 40 ditë pas vrasjes, ende heshtje

40 ditë pas vrasjes së deputetit të zonës nr.67, Fatmir Xhindit, ngjarja ende nuk është zbardhur. Policia nuk ka nxjerrë akoma autorin që qëlloi mbi deputetin 49-vjeçar, ndërkohë që familjarët apelojnë për zbardhjen sa më shpejt të vrasjes mafioze. Gjatë këtyre 40 ditëve, grupi hetimor është përqendruar në pista të ndryshme hetimesh, duke ngritur dhe hedhur dhjetëra hipoteza, por pa konkluduar për asnjërën prej tyre. Konflikti i pronësisë dhe ai personal, pozicioni i tij si deputet e mjaft pista të tjera janë hetuar nga prokurorët e kësaj çështjeje, por të gjitha janë përjashtuar. Ndërkohë, kanë dalë në skenë edhe vrasje të vjetra të zonës së Roskovecit, por në asnjë prej tyre grupi hetimor nuk është përqendruar gjatë. Provat e pakta të vendit të ngjarjes, si dhe rrethanat e ndodhjes së saj, e kanë bërë të pamundur zbardhjen e vrasjes së Xhindit. Pak ditë më parë, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit deklaroi se vrasja e deputetit Fatmir Xhindi është drejt përfundimit të zbardhjes, por shpresat për një fakt të tillë janë të pakta. Grupi hetimor nuk ka mundur të gjejë ndonjë detaj as në telefonatat e fundit të Xhindit, dhe as në deklaratat e më shumë se 478 personave që janë marrë për të dëshmuar.
Ndërkohë, familjarët e deputetit të vrarë kanë kërkuar zbardhjen sa më parë të ngjarjes. Familjarët e veshin ngjarjen e ndodhur me nota politike. Në deklaratat e tyre kuptohet se vonesa e zbardhjes së vrasjes lidhet pikërisht me politikën.
"Nëse shteti nuk mund ta zbardhë shpejt ngjarjen, atëherë le të angazhohen organizmat e huaja të specializuara për këto punë", është shprehur e veja e Fatmir Xhindit, Xhemilja. Ndërkohë, vëllai i vogël i Xhindëve, Iliri, shprehet: "Shpresuam gjatë për gjetjen shpejt të autorit, por nuk e realizoi dot shteti. Ndihemi nën trysninë e një opinioni publik jo vetëm në zonë, por edhe më gjerë, si shkak i vonesës së zbardhjes së ngjarjes dhe gjetjes së autorëve".
Homazhet
Dje në Roskovec është përkujtuar me dhimbje humbja e Fatmir Xhindit. Herët në mëngjes, në banesën e deputetit Xhindi kanë shkuar për vizitë 16 kandidatët për deputetë të PS-së, si dhe dhjetëra anëtarë të kësaj force politike në Fier, Tiranë e rrethe të tjera. Ata kryesoheshin nga Gramoz Ruçi, i cili i ka siguruar familjarët e ish-kolegut të tij se Partia Socialiste do të angazhohet maksimalisht për të zbuluar të vërtetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›