Shkupi rrezikoi koalicionin qeverisës nga gafa me Sejdiun
Maqedonia rrezikoi shpërbërjen e qeverisë pas gafës së dytë diplomatike me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, anulimi i vizitës së të cilit ka nxitur partinë shqiptare, BDI të konsideronte tërheqjen nga koalicioni qeverisës. Sipas mediave maqedonase, koalicioni i kryeministrit, Nikola Gruevski është zhytur në krizë të enjten pas gafës me Kosovën. Sejdiu është përjashtuar një herë më parë nga axhenda diplomatike e Maqedonisë, dy javë më parë, kur ai nuk u ftua me liderët e tjerë të rajonit në inaugurimin e Presidentit maqedonas Georgie Ivanov. Sipas mediave, burime nga Partia shqiptare “Bashkimi Demokratik për Integrim” mund të lënë koalicionin qeverisës si protestë ndaj “një skandali të madh e të papranueshëm politik në lidhje me shtetin ri, Kosovën”. Por pas kthimit nga Brukseli, lideri i partisë BDI, Ali Ahmeti njoftoi se ata mbeten pjesë e koalicionit qeveritar. Ahmeti shprehu keqardhje për shkak të anulimit të vizitës së Presidentit Sejdiu dhe shprehu bindjen se të dyja shtetet së shpejti do të vendosin marrëdhënie diplomatike. Edhe Presidenca e Maqedonisë ka shprehur keqardhjen për anulimin e vizitës nga presidenti Sejdiu, e cila ishte parashikuar për dje. Në një deklaratë për shtyp, presidenti maqedonas, Georgie Ivanov tha se me gjithë këtë që ndodhi, marrëdhëniet fqinjësore me Kosovën do të zhvillohen normalisht në të ardhmen. Presidenti Sejdiu e ka anuluar vizitën e tij, pasi pala maqedonase e ndryshoi karakterin e vizitës zyrtare. Autoritetet maqedonase kanë deklaruar se presidenti i Kosovës do të pritej të enjten pa ceremoni shtetërore, pa gardën e presidentit, si dhe pa ngritur flamurin e Kosovës, siç ndodh me pritjet e tjera ceremoniale, edhe pse Maqedonia e ka njohur Kosovën. Pas anulimit të vizitës zyra e presidentit njoftoi se “Presidenti Sejdiu dhe institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të angazhuara për marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit, veçanërisht me fqinjët e saj, duke iu dhënë këtyre marrëdhënieve peshën dhe rëndësinë që ato meritojnë”. Pozita dhe opozita unanimisht e kanë mbështetur qëndrimin e Presidentit Sejdiu. “Vendimi i presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu, që ta anulojë vizitën e tij në Maqedoni, është njëri prej vendimeve më të mira që ai ka marrë”, kështu kanë deklaruar përfaqësues të partive politike të Kosovës, si nga pozita ashtu edhe nga opozita. Kryeministri Hashim Thaçi i bëri thirrje Shkupit zyrtar që të largohet nga ndikimi i politikës së mbrapshtë të Beogradit në raport me Kosovën. “Ne po investojmë që të kemi raporte shumë të mira... Por, Kosova ka dinjitetin e krenarinë e vet, është shtet i pavarur që i merr vendimet e veta”, tha Thaçi, duke komentuar anulimin e vizitës. Edhe mediat e kanë mbështetur presidentin. Anulimi i vizitës ishte në faqet e para të gazetave të Prishtinës nën titujt, “Sejdiu refuzoi turpërimin nga Shkupi”, nga “Koha Ditore” apo “Të lumtë” nga “Ekspress” ku ishte përshkruar se vizita ishte djallëzore dhe presidenti rrezikonte të kalonte ditën duke bërë pazar nëpër Shkup, si të gjithë vizitorët e tjerë.