Sarkozi, Tadiçit: Duhet të punoni me Kosovën
Presidenti francez, Nikola Sarkozi, gjatë takimit me presidentin serb, Boris Tadiç, ka vlerësuar se ai duhet të punojë me Kosovën dhe të ndihmojë në kapjen e të akuzuarve serbë për krime të luftës, të cilët ende janë në arrati. Presidenti serb, Boris Tadiç, tha se nuk do të pranonte ta njihte Kosovën e pavarur si kusht për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Ndërsa Serbia është vendi që e kundërshton më fort shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, Franca është një ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë. Sipas së përditshmes serbe, “Beta”, Tadiç ka deklaruar se “presidenti francez i ka thënë atij që askush nuk pret që Serbia në mënyrë implicite apo eksplicite ta njohë Kosovën, si kusht që Serbia të bëj hapin e parë për integrimin evropian”. “Mendoj që kjo është shumë e rëndësishme dhe një fitore e madhe politike”, ka thënë Tadiç. Sipas “Express”, pak para vizitës në Paris, Tadiç ka thënë në një intervistë për të përditshmen franceze, “Le Figaro” që Serbia kurrë “nuk do ta njohë kurrë Kosovën si shtet të pavarur”. Tadiç ka shfaqur shpresën që Franca dhe Serbia të arrijnë në një partneritet strategjik siç “e kanë pasur në kohën e Luftës se Parë Botërore”.