Presidenti nderon Vath Koreshin pas vdekjes
Tiranë- Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi personalitetin e shquar të kulturës kombëtare, shkrimtarin dhe kineastin Vath Koreshi (pas vdekjes) me Urdhrin “Nderi i Kombit”.
Gjatë ceremonisë së veçantë të zhvilluar sot në Presidencë, pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidencës, Aleksandër Flloko, kreu i shtetit i dorëzoi vajzës së Vath Koreshit, Urdhrin e lartë “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Personalitetit të shquar të kultursë kombëtare, me kontribut shumë të rëndësishëm në letërsinë bashkëkohore dhe në kinematografinë shqiptare, në zhvillimin dhe pasurimin e tyre me vepra elitare”.
Urdhri iu dorëzua vajzës së të ndjerit, znj. Ermela Hunçi, e cila në emër të familjes Koreshi u shpreh: “Nën peshën e një emocioni të papërshkruar, dua t’ju falenderoj të gjithë ju për vlerësimin e lartë që i bëtë babait tonë! Ne e kemi të vështirë të flasim sot, të dashur miq, për një njeri i cili punoi gjithë jetën për të bërë gjithçka të mirë për vendin e tij, pa menduar kurrë se ç’do të bënte vendi i tij për të. Dhe ne kemi shumë të vështirë të flasim sot, pasi të dashur miq, në sajë tuaj ne shohim se sot Vath Koreshi nuk është vetëm i familjes sonë. “
Në këtë ceremoni morën pjesë Zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku, shkrimtarë, artistë, regjizorë dhe personalitete të ndryshme nga fusha e artit dhe kulturës.