Miratohet paketa, ja ndryshimet kushtetuese
TIRANË- Paketa për ndryshimet kushtetuese është gati. Komisioni i Ligjeve e ka kaluar dje vetëm me dy vota kundër të partive të vogla, LSI dhe PBDNJ, ndërkohë që përfaqësuesit e dy partive të tjera, që trumbetuan jo pak zërin kundër paketës, PDK dhe PR, nuk ishin prezente gjatë mbledhjes. Paketa që përfshin ndryshimet në Kushtetutë sa i përket zgjedhjeve, çështjes së Presidentit apo mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm është një ndërthurje në fakt mes varianteve të dy partive të mëdha, ku secila palë ka lëshuar pe për raste delikate, siç është zgjedhja e Presidentit (sipas variantit të PS-së) apo edhe heqja e pikës së variantit të PD-së për rastet e shkarkimit të Kreut të organit të akuzës, ku në variantin e vjetër thuhej ndër të tjera se Prokurori i Përgjithshëm shkarkohej edhe për mos-ushtrim të funksioneve të tij. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin "Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, përmban 11 nene, në përbëje të së cilës preken çështjet e diskutueshme e deri dje të debatueshme mes forcave politike. Kështu, sipas nenit 1 të projektligjit që do të kalojë për votim ditën e hënë në Kuvend, Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore. Zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial, ndërsa kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional, përcaktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë, do të përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Një riformulim total i është bërë edhe nenit 65 që ka lidhje me mandatin e Kuvendit. Sipas draftit të ri, zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit. Periudhat zgjedhore dhe rregullat për thirrjen e zgjedhjeve për Kuvendin përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Në rast shpërndarjeje të Kuvendit para përfundimit të mandatit të plotë, zgjedhjet thirren jo me vonë se 45 ditë pas shpërndarjes se tij. Sa i takon zgjedhjes së Presidentit, komisioni ka kaluar me formulime variantin e propozuar nga Partia Socialiste. President zgjidhet në votimin e pare, të dytë ose të tretë, kur një kandidat merr jo me pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Madje me ndryshimet e reja, votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e katërt dhe të pestë, zgjidhet President kandidati që siguron me shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave. Votimi i pestë zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në votimin e katërt. Në rast se ka më shumë se dy kandidatë me të njëjtin numër votash, kandidati që merr pjesë në votim caktohet me short. Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij. Ndërkohë është pranuar varianti i PD-së se në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri, brenda 48 orësh nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit. PS është shprehur gjithashtu dakord edhe për propozimin tjetër të PD-së, që një e pesta e deputeteve ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit në detyrë, duke propozuar një kryeministër të ri. Ndërkohë është hequr varianti i PD-së për rastet e shkarkimit të Kryeprokurorit, dukë rënë dakord vetëm për pjesën që kishte të bënte me mandatin.
N.Perndoj
Në Ligjin Nr.8417, datë 21.10.1998 "Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
Neni 1
Neni 64 ndryshohet si më poshtë:
"Neni 64
1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona
zgjedhore shumemërore.
2. Zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial.
3. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional, përcaktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë, përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.
Neni 2
Neni 65 ndryshohet si më poshtë:
"Neni 65
1. Kuvendi zgjidhet çdo 4 vjet. Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij
pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Në çdo rast, Kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur.
2. Zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit. Periudhat zgjedhore dhe rregullat për thirrjen e zgjedhjeve për Kuvendin përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.
3. Në rast shpërndarjeje të Kuvendit para përfundimit të mandatit të plotë, zgjedhjet thirren jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij.
4. Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje gjatë periudhës 60 ditë para mbarimit të mandatit të tij, deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme".
.
Neni 3
Nenin 67 ndryshohet si më poshtë:
"Neni 67
1. Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e
përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati. Kur Kuvendi paraardhës është shpërndarë para mbarimit të mandatit, Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e ri jo më vonë se 10 ditë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve.
2. Në rast se Presidenti i Republikës nuk e ushtron këtë kompetencë, Kuvendi vetëmblidhet në ditën e dhjetë të afatit të parashikuar në piken 1 të këtij neni.
Neni 4
Neni 68 ndryshohet si më poshtë:
"Neni 68
1. Kandidatet për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike,
koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese sipas kësaj pike. Renditja e kandidateve për deputetë në listat shumemërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes se listës në komisionin zgjedhor përkatës. Rregullat për regjistrimin e kandidateve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.
2. Në ligjin për zgjedhjet përcaktohen edhe kritere dhe rregulla të tjera të nevojshme për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, duke përfshirë ato për regjistrimin e zgjedhësve, zhvillimin e fushatës zgjedhore, administrimin, vlefshmërinë e zgjedhjeve dhe shpalljen e rezultateve të tyre".
Neni 5
Neni 87 ndryshohet si më poshtë:
"Neni 87
1. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se
20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat.
2. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime.
Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni.
3. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë, kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë, zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
4. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave. Votimi i pestë zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në votimin e katërt. Në rast se ka më shumë se dy kandidatë me të njëjtin numër votash, kandidati që merr pjesë në votim caktohet me short. Në rast se pas votimit të katërt nuk ka mbetur asnjë kandidat në konkurrim, për këtë votim mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni. Kur paraqiten më shumë se dy kandidatë, votimi zhvillohet midis dy kandidatëve që kanë siguruar numrin më të lartë të deputetëve propozues.
5. Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses, nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij.
6. Kuvendi pasardhës e zgjedh Presidentin e Republikës me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij".
Neni 6
Në nenin 88 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Pika 2 riformulohet si më poshtë:
"2. Mandati përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit si President i Republikës. Mandati i Presidentit zgjatet vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo".
b) Pas pikës 2 shtohet pika 2/1 me këtë përmbajtje: "2/1. Procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo me vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo me vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit".
Neni 7
Neni 104 ndryshohet si më poshtë:
"Neni 104
1. Kryeministri ka të drejtë t'i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të
Ministrave. Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri, brenda 48 orësh nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit.
2. Presidenti shpërndan Kuvendin brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës.
Kërkesa për mocion besimi nuk mund të paraqitet gjatë periudhës së shqyrtimit të mocionit të mosbesimit sipas nenit 105.
3. Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar tri ditë nga paraqitja e tij".
Neni 8
Neni 105 ndryshohet si më poshtë:
"Neni 105
Një e pesta e deputeteve ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit në detyrë, duke propozuar një Kryeministër të ri. Kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit vetëm duke zgjedhur me votat e më shumë së gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij një Kryeministër të ri.
3. Presidenti i Republikës dekreton shkarkimin e Kryeministrit në detyrë dhe emërimin e Kryeministrit të zgjedhur; jo më vonë se 10 ditë nga votimi i mocionit në Kuvend".
Neni 9
Në nenin 149 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Pika 1 riformulohet si vijon:
"1. Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit, për një mandat pesëvjeçar, me të drejtë riemërimi".
b) Pika 4 ndryshohet si vijon:
"4. Prokurori i Përgjithshëm raporton në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit".
Neni 10
Pjesa 12 e Kushtetutës "Komisioni Qendror i Zgjedhjeve", shfuqizohet.
Neni 11
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.