“Presidenti nuk është i detyruar të këshillohet me Kuvendin për dekretet e tij”
Intervista/ Flet kostitucionalisti i njohur, Njiazi Jaho
Shaban Sulçe
Kostitucionalisti Njiazi Jaho del kundër pretendimeve të bëra kohët e fundit nga përfaqësues të maxhorancës, sipas të cilave, Presidenti i Republikës duhet të këshillohet me Kuvendin për dekretin e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Duke iu referuar Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Jaho thekson se Presidenti i Republikës nuk është i detyruar të këshillohet me Kuvendin për dekretet e emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Në një intervistë për gazetën “Albania”, Jaho flet gjithashtu edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me debatin për emërimet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë nga ana e Presidentit të Republikës, Bamir Topi.
Sot, Komisioni i Ligjeve nuk i shqyrtoi dekretet e Presidentit të Republikës për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, por me votat e maxhorancës vendosi t’ia kalojë çështjen Kuvendit, me arsyetimin se Presidenti i Republikës, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk është konsultuar më parë me Kuvendin. A është i bazuar ky qëndrim?
Nuk jam në dijeni se çfarë është diskutuar dhe çfarë është vendosur në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. Mund të jetë edhe kështu siç thoni ju. Por për t’iu shmangur çdo lloj supozimi, komenti apo interpretimi subjektiv, meqë ky problem është i njohur dhe ka disa ditë që bëhen deklarata dhe po debatohet, më lejoni që t’i referohem ligjit, Rregullores së Kuvendit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë mënyrë mendoj se mund të arrihet në përfundime më të drejta nëse qëndrimi apo vendimi i Komisionit të Ligjeve është ose jo në përputhje me ligjin. Në bazë të nenit 136/1 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës ka të drejtë të dekretojë emërimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë me pëlqimin e Kuvendit. Sipas nenit 26, pika 7 e Rregullores së Kuvendit, në programin e punës së Kuvendit futen automatikisht dekretet e Presidentit të Republikës, për emërime, për të cilat kërkohet pëlqimi i Kuvendit. (Siç përmendëm edhe më lart, dekreti i presidentit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë duhet të marrë pëlqimin e Kuvendit). Sipas nenit 111 të Rregullores së Kuvendit, kryetari i Kuvendit, dekretin e presidentit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë ia kalon Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës publike dhe të Drejtave të njeriut.
Kur dekreti i Presidentit të Republikës i dërgohet Komisionit të Ligjeve, si vepron ky komision?
Brenda 7 ditëve ai duhet të shqyrtojë nëse kandidaturat i plotësojnë ose jo kriteret ligjore. Dhe sipas kësaj, i dërgon raportin përkatës seancës plenare të Kuvendit.
Po Kuvendi si vepron?
Kuvendi, brenda dy javëve nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit të Ligjeve, shqyrton kërkesën për dhënien e pëlqimit, d.m.th. dekretet e presidentit, dhe vendos dhënien ose jo të pëlqimit.
A mundet që Kuvendi, veç kritereve ligjore që kërkohen për kandidatin e dekretuar, të shqyrtojë edhe meritat e tij?
Po. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2005, Kuvendi ka të drejtë që veç kritereve formale-ligjore, të shqyrtojë edhe meritat e kandidatit të dekretuar për anëtar të Gjykatës së Lartë.
Vendimi i mësipërm i Gjykatës Kushtetuese a e detyron presidentin që para se t’ia dërgojë dekretin Kuvendit, të këshillohet paraprakisht me të?
Jo, nuk e detyron. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të cilin bëhet fjalë zgjidh vetëm një çështje: Interpreton përmbajtjen e nenit 125/1 dhe nenit 136/1, sepse vetëm ky ka qenë objekti i kërkesës. Lidhur me këtë Gjykata Kushtetuese ka vendosur që Kuvendi, kur i shkojnë dekretet e presidentit për emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese ose të Gjykatës së Lartë, veç kritereve ligjore, ka të drejtë të shqyrtojë edhe meritat e kandidatit të dekretuar.
Ka persona, madje edhe ndonjë jurist, që e komenton ndryshe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ata thonë se në këtë vendim bëhet i detyrueshëm këshillimi i presidentit me Kuvendin para se të dekretojë emërimin e gjyqtarit. Derisa ju thoni se ligji dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese janë të qarta, përse të ketë mendime të ndryshme?
Nuk besoj se ata që flasin ndryshe kanë argumente bindëse. Mendoj se nuk e kuptojnë drejt vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ashtu siç jam shprehur edhe më parë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk trajton çështje të procedurës që duhet të ndjekë presidenti, që dekreton emërimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë dhe as procedurën që duhet të ndjekë Kuvendi, që shqyrton dekretin e presidentit. Presidenti, për dekretimin, është bazuar në nenet 93 dhe 136 fraksion 1 të Kushtetutës, ndërsa Kuvendi zbaton rregulloren e tij, por, pavarësisht nga kjo, mendimet individuale, edhe pse të ndryshme, nuk duhet të përbëjnë ndonjë shqetësim, sepse, siç thuhet, bota është e bukur se ka mendje shumë. E rëndësishme dhe shqetësuese mund të jenë vendimet që merren dhe që bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet.
11 Qershor 2008