Ekspertët që po hartojnë kërkesën e referendumit për Gjykatën Kushtetuese
Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës ka krijuar një grup të posaçëm pune, i cili do të hartojë dhe ndërtojë kërkesën për zhvillimin e referendumit, që do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Në përbërje të këtij grupi gjenden emrat e disa juristëve të njohur dhe ekspertë të kësaj fushe. Gazeta “Albania” zbardh sot 5 prej emrave që përbëjnë grupin që do të hartojë kërkesën për referendum. Emrat e tyre janë: deputeti Spartak Braho, për të vijuar më pas me Mustafa Muçin, Artan Devolen, Bledar Fejzon dhe Ilirjan Muhon. Pas rrëzimit të kërkesës për referendum nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës ka krijuar grupin e punës që do të formulojë kërkesën për në Gjykatën Kushtetuese. Sipas kryetarit të Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, Artur Zheji, kërkesa për në Gjykatën Kushtetuese pritet të dorëzohet brenda dy javëve të ardhshme, brenda kornizës ligjore dhe juridike më perfekte. “Ne duam dhe kërkojmë me seriozitetin më të madh që të jenë rreptësisht dhe saktësisht ligjore dhe me kompetencë juridike. Sapo të kompletohet një gjë e tillë, nuk besoj se do të kalojnë më shumë se dy javë dhe ne do të depozitojmë kërkesën tonë për referendum pranë Gjykatës Kushtetuese”, - ka deklaruar Zheji. Ndërkohë, nga burime brenda Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës mësohet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shkakton një tjetër pengesë për organizimin e referendumit. KQZ-ja, përveçse vendosi të refuzojë kërkesën për referendum, po vonon të zbardhë vendimin e marrë prej tij për këtë çështje. Kjo vonesë do të ndikojë negativisht, pasi mbi bazën e këtij vendimi do të bëhet edhe ankesa pranë Gjykatës Kushtetuese.
11 Qershor 2008