E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kepi i Skënderbeut, monumenti i harruar

 

BURREL - Afro 22 kilometra në lindje të qytetit të Burrelit, rrëzë maleve të thepisura ndodhet Kepi i Skënderbeut siç e quajnë vendasit, ose Kalaja e Stellushit siç është e konsiderojnë historianët. Matanë fshatit Vig të komunës së Macukullit, aty ku Mati e Dibra ndajnë kufijtë administrativë lartësohet një mal i lartë. Poshtë tij një fushë e bukur ku dallojnë rrënojat e shekujve më parë. Ndërkohë teksa i ngjitesh kalasë dallon muret, fortifikimet, pusin e ujit, etj. Banorët autoktonë flasin me shumë nostalgji për kalanë dhe luftërat e Skënderbeut në këtë zonë. Historiani Qemal Cenaj e kryetari i lidhjes së shkrimtarëve Mat, Basir Bushkashi teksa ngjiten në kalanë shekullore nuk lënë pa përmendur harresën e gjatë për të zbuluar të vërtetat e kësaj kalaje si dhe punën e pakët ndër vite për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme për turistët vendas e të huaj. “Herë pas here këtu vijnë vizitorë nga Gjermania, Austria, Zvicra e vende të tjera të botës, - sqaron Cenaj. - Por siç e shihni rruga është në gjendje kritike. Është e pafalshme që ky objekt kaq i rëndësishëm është lënë në mëshirë të fatit. Ai është në listën e Monumenteve të Kulturës, por kurrë nuk është treguar kujdes. Të paktën të promovohej dhe të bëhej i njohur për shqiptarët”. Pak kilometra në jug të kalasë së Stellushit ndodhet një varr i pazakontë për nga përmasat dhe legjendat. Fare pranë fshati Vig ai konsiderohet nga banorët autoktonë “varr i mirë”. Vizitorë nga zona të ndryshme të vendit udhëtojnë drejt Matit dhe ngjiten malet e larta, për të parë e vizituar varrin e turkut. h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›