Ish-emigranti hap një mensë ditore për të varfrit
DURRES / OERD ULQINI
Rreth 17 vjet më parë Bujar Dervishi pësoi një aksident të rëndë në Greqi. Për 45 ditë ai ndenji në koma dhe u rikthye në jetën tokësore, pas një “udhëtimi në botën e përtejme”. Që nga ai moment 46-vjeçari durrsak është shndërruar në një bamirës.
“Kur u zgjova nga koma, e pashë veten me tuba plastikë, të cilët më ishin vendosur kudo në trup. I kisha mbijetuar një aksidenti të pabesueshëm. Vetëm tubat më mbanin akoma në jetë. Madje edhe mjekët shprehën habinë që kisha shpëtuar gjallë. Thashë me vete se kjo është një shenjë e Zotit për të bërë të mira”, tregon Bujari. Me 4.5 milionë lekë në xhep, para këto të cilat i përfitoi nga siguracioni grek u rikthye në Shqipëri, ku nisi të ndërtonte një godinë trekatëshe në fshatin Shën-Vlash. Asokohe këto para ishin një pasuri e madhe, pasi rrogat mujore të shqiptarëve nuk ishin më të larta se dy mijë lekë të reja. Aksidenti e kishte bërë Bujarin të pasur. Të qenit mes jetës dhe vdekjes e kishte shndërruar atë, në një ndër milionerët e parë në Durrës. Bujari e përdori mirë paranë, duke blerë me një çmim simbolik një parcelë në fshatin Shën-Vlash. Tashmë, në atë truall është ngritur shtëpia e të vobektëve. Në katin e parë ndodhet një servis makinash. Ky është kati që Bujari e ka dhënë me qira. Falë këtyre parave mbulohen shpenzimet shtesë të mensës publike. Ndërsa në dy katet e tjera të godinës janë sistemuar të varfrit. Çdo ditë aty mblidhen dhjetëra endacakë, të pastrehë, fëmijë, të moshuar të braktisur etj., të cilët gjejnë një pjatë të ngrohtë apo një shtrat. Bujari nuk mund të flasë pa makinerinë e tij, pasi aksidenti i rëndë e ka dëmtuar në fyt. Ndaj zëri i bamirësit është metalik dhe disi i çuditshëm. Gruaja dhe vjehrra e Bujarit shërbejnë në kuzhinë. Ata gatuajnë dhe lajnë pjatat për të varfrit. Mensa është e hapur në çdo ditë të javës. Servete Dervishi është bashkëshortja e Bujarit. Nga të vobektët ajo thirret “Nënë Tereza”. Është grua e palodhur dhe gjithnjë e gatshme për t’u shërbyer njerëzve të uritur. Mensa administrohet nga Bujari. Ai nuk paguan stafin e tij, pasi aty janë punësuar vetëm familjarë që bëjnë punë vullnetare. Bujari ka ditur të administrojë mirë paratë e fituara nga emigracioni si dhe ato që përfitoi nga siguracioni i aksidentit të rëndë. Disa prona të tij i ka dhënë me qira, falë të cilave arrin të mbulojë shpenzimet e tjera për mensën. Lëvizjet e shumta demografike kanë sjellë shtimin e personave që jetojnë pa përkrahje sociale. Shumica e tyre lypin rrugëve të qytetit-port, duke u endur çdo ditë në kërkim të mbijetesës, ndaj nisma të tilla, zbusin sadopak dhimbjen e fëmijëve të uritur dhe të moshuarve të braktisur.
Si menaxhohet mensa
Bujari thotë se shpenzimet mujore arrijnë vlerën mesatare të 500-600 eurove. Me këto harxhime paguhet energjia elektrike, ngrohja e kaldajës, mirëmbajta e mensës, si dhe disa lloje ushqimesh që nuk mbulohen nga donacionet e biznesit. Ai thotë se falë bizneseve të ndryshme që veprojnë në Durrës nuk mungojnë asnjëherë në mensën publike vezët, pulat, vaji, biskotat dhe makaronat. “Këtu vijnë edhe refugjatë, të cilët pasi drekojnë lenë 100 ose 200 euro mbi tryezë. Janë njerëz që duan të bëjnë mirë. Me këto para ne blejmë mish, fruta dhe pije shtesë”. Ndihmë ka pasur dhe nga pushteti vendor. Prefektura e Qarkut ka investuar për ngritjen e konviktit me 18 shtretër, ndërsa Bashkia ka mundësuar rikonstruksionin e godinës. Çdo ditë aty mbërrin një autobus, që sjell endacakët nga Durrësi. Ky transport kryhet falas nga pushteti vendor. Ndërkohë që Lidhja e Shkrimtarëve të Durrësit ka dhuruar libra, duke krijuar një bibliotekë.