Kelmendi: Nuk e pashë Lavdërim Tufën te vrasja e Fatmir Ramës
Ylli Kelmendi, dëshmitari kyç i vrasjes së Fatmir Ramës, i njohur ndryshe si Miri i Xhikes në vitin 2003, ka shfajësuar dje Lavdërim Tufën, personin e arrestuar pas ngjarjes, i cili po rigjykohet në Gjykatën e Shkallës së parë pas prishjes së vendimit me burg përjetë nga Gjykata e Lartë. Kelmendi, gjatë deklarimit të tij të dhënë në ngarkim të të pandehurit Lavdërim Tufa, ka treguar se ditën e ngjarjes më 29 mars të vitit 2003, dy persona të maskuar, të armatosur dhe pajisur me antiplumb kishin qëlluar nga jashtë lokalit “Kartodrom 2000” drejt tavolinës së tyre, me qëllimin për të ekzekutuar Ramën.
40-vjeçari që ndodhet në paraburgim për “armëmbajtje pa leje”, pohoi në proces se personi që qëlloi drejt tavolinës së tyre kishte moshën rreth 50-60 vjeç, kjo e vërtetuar me faktin se ai, pas ngjarjes nuk vraponte me të njëjtin ritëm si bashkëpunëtori i tij që qëlloi nga një distancë më e largët. Ai tha se personi ka qenë i shkurtër dhe i shëndoshë. Gjatë seancës, i pandehuri Tufa, i cili ndodhet në qeli prej nëntorit 2003, pyeti Kelmendin nëse ishte ky autor i ngjarjes apo jo. Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Albert Meçe, nuk e lejoi përgjigjen e dëshmitarit me argumentin se pak çaste më parë Kelmendi pohoi se ekzekutorët ishin të maskuar.
Në ngjarjen e “Kartodromit” humbën jetën tre persona, mes të cilëve edhe vetë pronari Fatmir Rama. Ora shënonte rreth 19.50, kur Fatmir Rama u ekzekutua në lokalin e tij “Kartodrom 2000”, në fshatin Lundër, teksa ndodhej në shoqërinë e tre miqve të tij duke ndjekur ndeshjen e futbollit Shqipëri-Rusi. Persona të maskuar dhe të armatosur me “Kallashnikov” qëlluan me breshëri ndaj Ramës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Plumbat kanë kapur edhe miqtë e “Mirit të Xhikes”, Julian Durishti dhe Kristaq Cami, një prej të cilëve vdiq në vend, ndërsa tjetri ndërroi jetë pak ditë më vonë në spital. I vetmi që reagoi ndaj atentatorëve ishte Ylli Kelmendi, mik i Fatmir Ramës, i cili qëlloi me pistoletë drejt atentatorëve, duke plagosur njërin prej tyre. Tetë muaj më vonë, më 26 nëntor të 2004-s, u arrestua Lavdërim Tufa. Gjetja e njollave të gjakut në disa vende, rruga që kishin përshkuar, tregonte se e njihnin mirë zonën dhe rrugicat për t’u fshehur nga ndjekja prej policisë, kanë qenë këto faktet që zbuluan Lavdërim Tufën. Prova që e implikon atë ishte përputhja rreth 70% e ADN-së së tij me një fije floku, që u gjet në maskën e hedhur nga njëri prej atentatorëve.
Më datën 21 maj të vitit 2009, Gjykata e Lartë vendosi që të rikthejë dosjen për rigjykim në Gjykatën e Tiranës, duke e shpallur moskompetente Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Sipas arsyetimit të Kolegjit të Bashkuar, këto dy gjykata nuk kanë pasur hapësirave ligjore për ta gjykuar këtë dosje. Ndërkohë që u konstatuan edhe shkelje të shumta procedurale.